Politike

Marrëveshja për emigrantët/ Rama për Rai 3: Ishte kerkesë miqësore nga Giorgia, Italia është lënë e vetme për shumë kohë

Sipas tij ai vendosi ta nënshkruante marrëveshjen me Italinë duke vepruar si një vend europian.

2 Qershor 2024, 20:04 Nga r.ll
Marrëveshja për emigrantët/ Rama për Rai 3: Ishte
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistër për gazetarin Giorgio Mottola të televizionit italian Rai 3. Në nisje të intervistës, kryeministri e ka cilësuar sërish puntatën e parë të emisionit investigativ Report në Rai3 si "të neveritshëm". 

Ndër të tjera, Rama ka folur për marrëveshjen e nënshkruar me Italinë për emigrantët. Ai tha se e gjithë marrëveshja nisi nga një kërkesë miqësore e homologes së tij italiane Giorgia Meloni. Sipas tij ai vendosi ta nënshkruante marrëveshjen me Italinë duke vepruar si një vend europian.

Pjesë nga intervista:

Giorgio Mottola: Atëherë, Kryeministër, falemnderit që pranuat këtë intervistë. E vlerësojmë shumë si shenjë disponibiliteti të madh. Pyetja e parë është kjo: Ju e përkufizuat emisionin tim, hetimin tim si “të neveritshëm”. Është gabim përkthimi apo donit vërtet të thoshit “i neveritshëm”?

Edi Rama: Tani jeni këtu në shtëpinë time dhe nuk do doja të këmbëngulja tek ajo fjalë, por, nëse doni të këmbëngulni, po, ishte shumë i neveritshëm.

Gorgio Mottola: Pse?

Edi Rama: Sepse ishte shumë e qartë që qëllimi ishte të bënit një emision për qendrat e pritjes së migrantëve dhe është e drejta juaj e shenjtë, unë nuk mundem as ta vë në diskutim, që ju të keni opinionin tuaj, të informoni publikun tuaj rreth këtij opinioni, të mblidhni faktet… Por, ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave,    me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe...

Gorgio Mottola: Ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë.

Edi Rama: ... dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme.

Gorgio Mottola: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?

Edi Rama: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.

Gorgio Mottola: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?

Edi Rama: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e  gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.

edi rama

Sondazh

Poll