Politike

Hetimet e dosjes "5D"/ SPAK në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe UKT, sekuestrohen disa dokumenta

SPAK ka kërkuar nga Bashkia dhe drejtoritë përkatëse të dhënat mbi zbatimin e projekteve, shumat përkatëse, kush kanë qenë kostot në raport me zbatimin.

20 Maj 2024, 12:25 Nga r.ll
Hetimet e dosjes "5D"/ SPAK në zyrat e Bashkisë së
erion veliaj dhe 3 drejtorët e arrestuar

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet rreth dosjes “5D”, në kuadër të të cilës u arrestuan 3 drejtorët e bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha, të cilët akuzohen për korrupsion e shkelje të barazisë në tendera, mosdeklarim pasurie etj. Raportohet se Byroja Kombëtare e Hetimit me kërkesë të SPAK, ka ushtruar kontrolle në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizimeve, ku janë sekuestruar disa dokumenta. 

SPAK ka kërkuar nga Bashkia dhe drejtoritë përkatëse të dhënat mbi zbatimin e projekteve, shumat përkatëse, kush kanë qenë kostot në raport me zbatimin. Të dhëna janë kërkuar edhe nga VAS Konstruksion, paraardhëse e “5D Konstruksion”. Burime për Syri Tv thonë se janë duke u grumbulluar nga organi i akuzës të gjitha dosjet e prokurorimeve publike ku në disa prej tyre autoritet kontraktor është Bashkia se Tiranës.

SPAK e akuzon Redi Mollën së bashku me zyrtarë të tjerë të bashkisë se favorizuan kompaninë 5D Konstruksion në tendera punësh publike. Kompania është regjistruar në pronësinë e Nestor Muhametllarit, por prokuroria pretendon se ka de fakto zotërues Mollën dhe drejtorin tjetër të Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato. Kompania 5D Konstruksion u themelua në vitin 2016 me emrin “Igor Elektrik” dhe e ndryshoi më pas emrin në vitin 2019 në V.A.S. Konstruksion dhe në vitin 2021 në 5D Konstruksion. Të dhënat e bilanceve të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se të ardhurat e saj ishin në masën 2.2 miliardë lekë [rreth 20 milionë euro] për periudhën nga viti 2016 kur u themelua deri në vitin 2022. Nga të dhënat e prokurimeve publike, kompania ka fituar 29 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 1.8 miliardë lekësh.

Sipas SPAK hetimet për Mollën dhe personat e tjerë të akuzuar në këtë dosje kanë filluar kryesisht në prill të vitit 2023, ndërsa më pas atyre u është bashkëlidhur edhe një kallëzim penal nga kandidati i opozitës për kryetar i Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar, Belind Këlliçi. Sipas SPAK, Qato dhe Molla e kishin fshehur pronësinë mbi kompaninë 5D Konstruksion përmes ortakëve fiktivë në aktet e regjistrimit. Molla i ka mohuar akuzat në një qëndrim publik duke pretenduar se nuk kishte lidhje me kompaninë dhe se akuzat ishin sulm politik.

bashkia e tiranes mariglen qato redi molla taulant tusha erion veliaj

Sondazh

Poll