Bota

Kishin mbetur pezull, Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Sipas ligjit në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.

16 Maj 2024, 12:04 Nga M.B
Kishin mbetur pezull, Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje
Kuvendi i Kosovës

KOSOVA- Kuvendi i Kosovës miratoi shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme. Sipas ligjit në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve. Dy prej marrëveshjeve ndërkombëtare nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve gjatë seancës plenare të 16 majit.

Traktati ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, si dhe Marrëveshja e kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar. Me përkrahjen e deputetëve nga partitë opozitare, u arrit miratimi, ndër të tjera, edhe i Ligjit për ratifikimin e “amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi Ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm. Deputetët miratuan edhe Ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimit Evropian në atë që quhet Programi i tregut të vetëm. Në seancën e 16 majit, u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim. Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovosës bëri të ditur më 15 maj se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm një ditë pasi kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Marrëveshjet ndërkombëtare arrijnë vlerën e 300 milionë eurove, ka thënë më herët ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Në seancën e së enjtes, që është vazhdim i asaj që është mbajtur më 2 maj, në rend dite ishte edhe votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit. Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, votimi u shty për një seancë tjetër meqë sipas tyre “rezoluta nuk është e plotë”.

“Kërkojmë më tepër kohë për [harmonizimin e qëndrimeve] për plotësimin e rezolutës”, tha shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila./ REL

kosova

Sondazh

Poll