Politike

Komisioni anti-korrupsion/ BE: Mirëpresim avancimin e reformave në Shqipëri, propozimi parlamentar të gëzojë mbështetje ndërpartiake

Në reagimin lidhur me propozimin e PS për ngritjen e komisionit anti-korrupsion, delegacioni thotë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.

13 Maj 2024, 16:22 Nga r.ll
Komisioni anti-korrupsion/ BE: Mirëpresim avancimin e reformave në
Foto ilustruese

TIRANË- Delegacioni i BE-së në Tiranë ka thënë se mbështet çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqiperisë për qeverisjen e mire.

Në reagimin lidhur me propozimin e PS për ngritjen e komisionit anti-korrupsion, delegacioni thotë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.

Më tej theksohet se është me rëndësi jetike që "procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile."

REAGIMI I DELEGACIONIT TË BE NË TIRANË:

Delegacioni i BE-së mirëpret çdo nismë për të çuar më tej proceset e arritjeve të reformave të Shqiperisë për qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionin, duke u mbështetur te reformat dhe arritjet e mëparshme, si dhe në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit.

Ne theksojmë se është e rëndësishme të garantohet që kjo nismë do të zhvillohet në koherencë të plotë me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit (procesi screeening) dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, si udhërrëfyesit për shtetin ligjor dhe administratën publike.

Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016.

Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi i propozuar parlamentar të jetë i bazuar në prova, transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, përfshirë edhe shoqërinë civile.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, BE-ja po ofron ndërkaq asistencë të madhe për Shqipërinë në fushat e qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit, si dhe është e gatshme të rrisë mbështetjen e vet, sipas rastit.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së dhe ministrave, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama u propozua ngritja e një komisioni të posaçëm parlamentar përmes një rezolute të PS të titulluar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.

Rezoluta u prezantua nga ministrja e shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali dhe sugjeron se puna e komisionit të posaçëm parlamentar nuk do të prekë reformën në drejtësi të arritur në vitin 2016. 

Sipas tekstit të rezolutës, synimi i ngritjes së këtij komisioni është që Kuvendi të rrisë rolin e tij mbikqyrës dhe llogarikërkues ndaj ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese.

ps delegacioni i be ne tirane

Sondazh

Poll