Politike

Vizitë private apo zyrtare, partiake apo shtetërore? Si u përdor shteti për fushatën e Edi Ramës

Por e gjithë kjo fushatë që Rama ka nisur me emigrantët në Greqi dhe pritet të vijojë me emigrantët shqiptarë në vendet e tjera është duke u bërë me shpenzimet shtetërore që duhet të përdoren në të mirë të qytetarëve shqiptare dhe jo për fushatë elektorale. 

12 Maj 2024, 14:29 Nga Izmir Akulli
Vizitë private apo zyrtare, partiake apo shtetërore? Si u përdor
Edi Rama

Vizita e sotme e kryeministrit Edi Rama në Greqi dhe takimi me emigrantët shqiptarë është parë nga shumë faktor një sfidë që Rama po i bën qeverisë greke për rastin e burgosjes së kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri. Por më shumë se sa një sfidë të drejtëpërdrejtë, ajo shihet si një fushatë elektorale që kryeministri ka nisur për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. 

Por e gjithë kjo fushatë që Rama ka nisur me emigrantët në Greqi dhe pritet të vijojë me emigrantët shqiptarë në vendet e tjera është duke u bërë me shpenzimet shtetërore që duhet të përdoren në të mirë të qytetarëve shqiptare dhe jo për fushatë elektorale. 

Duke nisur që nga udhëtimi me charter vajtje-ardhje, ku përveç Ramës ndodheshin dhe 120 persona të tjerë, duke përfshirë këtu minista, deputetë apo dhe kryebashkiak si i Sarandës, Gjirokastrës e i Vlorës, të cilët mbajtën fjalën e tyre hapëse në fjalimin e kryeministrtit. Jo vetëm kaq, pasi kryeministri me vete u siguroi transportin dhe këshilltarëve që ai vetë ka, por dhe gazetarë të mediave pro-qeveritare që e ndjekin kudo ku shkon. 

Ndërkohë që në shpenzimet publike u mbulua gjithashtu dhe koncerti që Rama u dha falas të pranishmëve në stadium, i cili u pa si një mënyrë për të mbledhur më shumë njerëz. Padyshim udhëtimi i këngëtarëve Era Rusi dhe Noizy si dhe performanca e tyre 20-minutshe, ka pasur një kosto jo të vogël, e cila është mbuluar nga shpenzimet shtetërore. 

Por gjithashtu me taksat e mbledhura të shqiptarëve, është paguar dhe salla e stadiumit 'Galatsi' me një kapacitet prej 5 mijë vendesh, e cila është marrë me qira të paktën 2 ditore. Përfshi te salla dhe fonia dhe kompletimi i zërit, në mënyrë që fjalimi i Ramës të mos shfaqte probleme dhe të dëgjohej në të gjithë sallën e stadiumit. 

Në shërbim të turit të Ramës, është vënë dhe administrata publike, të cilën kryeministri është kujdesur vetë që të mbushë autobusët nga Shqipëria për t'i transportuar në Greqi, që salla të kompletohej me sa më shumë të pranishëm. Pavarësisht se gjysma e njerëzve në sallë ishin punonjës të administratës apo dhe mbështetes së PS-së, të cilët Rama u siguroi transportin vajtje-adhje me autobusa. 

Por megjithë këto shpenzime, Rama mendoi që taksat e shqiptarëve t'i kursente te kondicioneri. Gjatë gjithë fjalimit të Ramës, e mbuloi një djersë, e cila reflektonte dhe nga kamerat. Mesa duket fjalimi teper i gjatë, dalja e Ramës përballë emigrantëve, të cilëve nuk u ka mbajtur asnjë premtim që u ka dhënë deri më tani, duke nisur nga mos lejimi i tyre për të votuar, ka bërë që kryeministrti të kullonte në djersë. Ndërkohë që mungesa e kondicionerëve ka shtuar djersitjen e Ramës edhe më shumë.

izmir akulli edi rama edi rama ne athine

Sondazh

Poll