Bota

Përmbytjet në Brazil, shkon në 126 numri i viktimave

Shirat e rrëmbyeshëm që goditën shtetin e Rio Grande do Sul javën e kaluar shkaktuan përmbytje të lumenjve që prekën afro dy milionë njerëz dhe plagosën 756, sipas të dhënave të fundit të publikuara të premten mbrëma nga Mbrojtja Civile.

11 Maj 2024, 09:51 Nga E. D
Përmbytjet në Brazil, shkon në 126 numri i viktimave
pamje nga përmbytjet

BRAZIL- Brazili jugor, pjesa më e madhe e të cilit mbetet nën ujë, po përgatitet për shira të mëtejshëm të dendur këtë fundjavë pasi numri i të vdekurve nga përmbytjet  në ditët e fundit është rritur në të paktën 126 dhe një numër i madh njerëzish janë zhvendosur. Shirat e rrëmbyeshëm që goditën shtetin e Rio Grande do Sul javën e kaluar shkaktuan përmbytje të lumenjve që prekën afro dy milionë njerëz dhe plagosën 756, sipas të dhënave të fundit të publikuara të premten mbrëma nga Mbrojtja Civile.

Me 141 persona ende të zhdukur, autoritetet kanë frikë se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet pasi rajoni pret shi të dendur gjatë fundjavës. Në 24 orët e fundit pothuajse është dyfishuar numri i personave që janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, duke arritur në 411 mijë. Prej tyre, më shumë se 71,000 kanë shkuar në strehimore, me autoritetet që përpiqen të ruajnë rendin pas raportimeve për vjedhje dhe dhunë.

Reshje të reja shiu kanë goditur ditën e djeshme shtetin dhe veçanërisht kryeqytetin e Porto Alegre. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar i Brazilit njoftoi se reshje të dendura dhe të vazhdueshme do të ndodhin gjatë fundjavës dhe në fillim të javës. Meteorologia Katia Valente paralajmëroi rrezikun e rrëshqitjeve të reja, kryesisht në pjesën veriore të shtetit.

“Kjo është ajo që na shqetëson më shumë për momentin”, shpjegoi ajo.

Ndërkohë, autoritetet po mobilizojnë mijëra personel ushtarak për të shpërndarë tonelata ndihma ushqimore, si dhe dyshekë dhe furnizime të tjera.  Pavarësisht reshjeve të reja, banorët po përpiqen t'i rikthehen normalitetit.

permbytjet ne brazil shërbimi meteorologjik viktima

Sondazh

Poll