Sport

Elbasani vjen në Superiore si kampionia e Kategorisë së Parë!

Një finale prestigji, ku ekipi i Nevil Dedes dëshmoi edhe një herë që ka kryesuar me meritë kampionatin dhe rikthimin në Superiore. Verdheblutë e mbyllën sezonin me 79 pikë, ndërsa Bylisi me 71 pikë. Të dyja skuadrat do të jenë mes më të mirëve të Superiores në vitin e ardhshëm.

9 Maj 2024, 21:58 Nga DOSJA
Elbasani vjen në Superiore si kampionia e Kategorisë së

ELBASAN - Elbasani u kurorëzua zyrtarisht si kampion i Kategorisë së Parë. Në ndeshjen e fundit të sezonit, ndaj Bylisit, klubi verdheblu, që e kishte siguruar më herët ngjitjen, gjithsesi fitoi në fund me rezultatin 3-2.

Pasditja e së enjtes u kthye në një festë të vërtetë, me tifozët e shumtë në numër që kishin ardhur për të shijuar suksesin e rikthimit në Superiore bashkë me skuadrën. Ndeshja ishte e programuar për t’u luajtur në “Adush Muça”, por për të respektuar Elbasanin, si vend i parë, Bylisi pranoi ta zhvillonte takimin në “Elbasan Arena”.

Elbasani zhbllokoi fillimisht shifrat në minutën e 28-të me anë të golit të Grecës, i cili goditi mirë me të djathtën brenda zones, për të çuar në festë stadiumin. Avantazhi i ekipit të Nevil Dedes zgjati vetëm tri minuta, pasi Bylisi barazoi falë golit të realizuar me kokë nga Peralta.

Pjesa e parë u mbyll me një gol të realizuar nga Jefferson, që goditi me një parabolë nga jashtë zonës për t’i përmbysur shifrat Elbasanit. Elbasani tregoi karakter në pjesën e dytë dhe barazoi në minutën e 84-t, pas një goditje të bukur nga jashtë zonës nga Gava.

Emocionet nuk u ndalën me kaq, pasi në minutën e 94-t, “Elbasan Arena” festoi dhe golin e fitores. Orgest Gava dhuroi një asist të shkëlqyer drejt zonës dhe Hoxhaj nuk fali me kokë, duke përmbysur gjithçka. Një finale prestigji, ku ekipi i Nevil Dedes dëshmoi edhe një herë që ka kryesuar me meritë kampionatin dhe rikthimin në Superiore. Verdheblutë e mbyllën sezonin me 79 pikë, ndërsa Bylisi me 71 pikë. Të dyja skuadrat do të jenë mes më të mirëve të Superiores në vitin e ardhshëm.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll