Bota

Dita e Evropës/ U hodh hapi i parë drejt krijimit të BE-së, çfarë domethënie ka dhe pse festohet më 9 maj?

Nën “Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut”, shtetet kombëtare filluan të bashkojnë kompetencat e tyre dhe t’i transferojnë ato në një sërë institucionesh evropiane: një Autoritet i Lartë i pavarur, një Asamble e Përbashkët e parlamentarëve kombëtarë, një Këshill Special i ministrave kombëtarë dhe një Gjykatë Drejtësie.

9 Maj 2024, 09:06 Nga r.ll
Dita e Evropës/ U hodh hapi i parë drejt krijimit të BE-së,
foto ilustruese

EVROPË- Sot është Dita e Evropës, e cila çdo vit festohet më 9 maj. Fillimisht Këshilli Europian caktoi 5 majin si Ditën e Evropës, por më vonë Bashkimi Europian e përcaktoi 9 majin në përkujtim të deklaratës Schumanit të vitit 1950.

Atë ditë në Paris, Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”. Synimi i Schuman rezultoi i suksesshëm. Kancelari i Gjermanisë Perëndimore Konrad Adenauer tha po thuajse menjëherë.

Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 majin si “Dita e Evropës”.

Ideja e Europës së Bashkuar në Bashkim Europian

Një vit më vonë, më 18 prill 1951, përfaqësues nga Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu nënshkruan Traktatin e Parisit dhe themeluan Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), një organizatë pioniere e bazuar në parimin e mbinacionalizmit.

Nën “Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut”, shtetet kombëtare filluan të bashkojnë kompetencat e tyre dhe t’i transferojnë ato në një sërë institucionesh evropiane: një Autoritet i Lartë i pavarur, një Asamble e Përbashkët e parlamentarëve kombëtarë, një Këshill Special i ministrave kombëtarë dhe një Gjykatë Drejtësie.

Ndihmësi i ngushtë i Schuman-it, Jean Monnet, i cili tani konsiderohet truri i deklaratës historike, u emërua presidenti i parë i Autoritetit të Lartë. Përfitimet ekonomike të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut, si tregu pa doganë për qymyrin dhe çelikun, i bindën shtetet anëtare të shkojnë më tej dhe të sjellin më shumë sektorë dhe fusha politikash nën mandatin mbikombëtar.

Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut u zhvillua në mënyrë progresive, së pari në Komunitetin Ekonomik Evropian dhe, më vonë, në Bashkimin Evropian. Katër institucionet origjinale përfundimisht u shndërruan në Komisionin Europian, Parlamentin Europian, Këshillin e BE-së dhe Gjykatën Europiane të Drejtësisë që ne njohim sot.

dita e evropes 9 maj bashkimi evropian

Sondazh

Poll