Politike

Bardhi në Komisionin e Ligjeve: 13 patronazhistë kanë rezultuar fitues te Shkolla e Magjistraturës

Sipas Bardhit futja e patronazhistëve në Shkollën e Magjistraturës është ndërhyrje flagrante e politikës në drejtësi. 

29 Prill 2024, 16:33 Nga r.ll
Bardhi në Komisionin e Ligjeve: 13 patronazhistë kanë rezultuar
gazment bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka bërë thirrje për të marrë në pyetje Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, në lidhje me skandalin mbi konkursin për magjistratët e rinj. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, Bardhi tha se kishte bërë një verifikim të emrave, nga i cili kishin rezultuar se 13 prej “fituesve” ishin patronazhistë të PS-së. Sipas Bardhit futja e patronazhistëve në Shkollën e Magjistraturës është ndërhyrje flagrante e politikës në drejtësi. 

“Ju keni një problem Majko, që listën e patronazhistëve e keni publike, mjafton të gugëllosh emrat dhe po të deklaroj që një pjesë e tyre, 13 persona janë në listën e patronazhistëve të PS. A mund të jenë me meritë në atë proces? Patjetër që mund të jenë, nuk dua t’i paragjykoj. Fakti që është patronazhist, nuk do të thotë që nuk meriton të ketë karrierë, patjetër që meriton. Futja e patronazhistëve në Shkollën e Magjistraturës është ndërhyrje flagrante e politikës në drejtësi. Por po e mbaj tek parimi.

Nuk dua ta politizoj, por për mua është shumë me interes që konkursi i Shkollës së Magjistraturës praktikisht garanton sistemin për 20 apo 30 vitet në vijim të mos ketë asnjë hije dyshimi. Dhe kam të drejtën si deputet që të kërkojmë në një seancë dëgjimore një drejtues të institucionit shtetëror, në rastin konkret drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, për të na informuar për aq sa e lejon ligji. Nuk po bëj përgjegjës askënd, por kemi të drejtë të informohemi se çfarë ka ndodhur me konkursin e Magjistraturës. 13 persona janë në listë ne patronazhistëve të PS”, u shpreh Bardhi.

Provimi për në Shkollën e Magjistraturës u anulua dy herë brenda ditës, ndërsa përveç kësaj, numri i fituesve u shtua nga 79 u bë 121 dhe në orët e pasdites shkoi në 131 persona.

gazment bardhi komisioni i ligjeve 29 prill 2024 shkolla e magjistratures

Sondazh

Poll