Sport

Ten Hag: "Ne jemi një nga ekipet më dinamike dhe argëtuese në Premier League"...

Trajneri i Manchester United është i mërzitur për barazimin në shtëpi kundër Burnley

28 Prill 2024, 13:00 Nga DOSJA

Ten Hag: "Ne jemi një nga ekipet më dinamike dhe argëtuese

ANGLI - Erik Ten Hag, trajneri i Mançester Junajtid, ka reaguar për barazimin në shtëpi ndaj  Burnleyt, i cili sipas tij, nuk duhet të ndodhte: “Jam shumë i frustruar. E vendosëm veten në pozita të vështira. Në shumë faza të lojës dolëm shumë mirë, ndaj në fund duhet të merrnim tre pikët dhe pa pësuar gol. Dështuam sërish në fund”.

I pyetur, nëse zhgënjimet që Man.United ka pasur gjatë gjithë sezonit, mund të jenë fat i keq apo problem i mentalitetit, Ten Hag konsideron se problem janë të dyja: “Fat i keq në ndeshje dhe ne nuk kemi pasur fat me arbitrimin javët e fundit. Kemi vuajtur kaq shumë me penalltitë... kjo është e justifikuar, por ka të tjera që nuk janë”,- shpjegoi trajneri holandez.

Me këtë rezultat, Manchester United e sheh vendin e katërt, dhe kualifikimin e mëpasshëm në Champions League, gjithnjë e më larg, diçka që Ten Hag e komentoi: “Europa League duket më e mundshme… Këto janë faktet. Nuk është e lehtë të kapësh vendin e katërt kur je kaq larg. Ne kishim nevojë të fitonim. Javët e fundit kemi qenë në një pozicion për të fituar dhe më pas kemi humbur. Diferenca është shumë e madhe në këtë fazë të sezonit”.

Në lidhje me rastet e humbura të skuadrës së tij, trajneri i Manchester United mbrojti lojtarët e tij: “Të gjitha skuadrat humbasin mundësitë, por te ne kjo është e çuditshme. Ne krijuam edhe shumë mundësi. Për momentin, ne jemi një nga skuadrat më dinamike dhe argëtuese në kampionat. Po krijojmë shumë mundësi dhe po luajmë futboll të mirë”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll