Politike

Ligji për Investimet Strategjike/ PD: Rama nuk i do bizneset europiane dhe perëndimore pasi ato kërkojnë standarde dhe ligjshmëri

Gjithashtu në deklaratën e tij Kraja thotë se vetëm 4 nga 57 projekte ka mundur të marrë përfitime fiskale dhe ekonomike duke përfshirë sipas tij edhe projektin e pronarëve fantazmë të Portit të Durrësit.

16 Prill 2024, 14:44 Nga S.B
Ligji për Investimet Strategjike/ PD: Rama nuk i do bizneset europiane dhe
Akil Kraja

TIRANË- Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Akil Kraja ka bërë një deklaratë në lidhje me investimet strategjike në vend duke cekur edhe pjesën e bizneseve europiane. Sipas Krajës ligji për investimet strategjike është një ligj korruptiv e klientelist ku këtë status e kanë marrë drejtorët e korruptuar të Bashkisë Tiranë.

Gjithashtu në deklaratën e tij Kraja thotë se vetëm 4 nga 57 projekte ka mundur të marrë përfitime fiskale dhe ekonomike duke përfshirë sipas tij edhe projektin e pronarëve fantazmë të Portit të Durrësit. Sipas tij qeveria nuk i do investitorët e huaj edhe pse duket ndryshe, sepse ata dhe bizneset europiane e perëndimore kërkojnë standard, mirëqeverisje dhe ligjshmëri.

Pa përmendur nuk mbeti edhe kompania 5D ku sipas Krajës bizneset europiane nuk i konkurrojnë dot kompani të tilla të cilat i çojnë 100% të tenderit drejtorit të korruptuar të rilindjes.

Deklarata e plotë:

Pak javë më parë, Parlamenti Shqiptar e zgjati vlefshmërinë e ‘Ligjit për Investimet Strategjike’ deri në fund të vitit 2024. Një ligj klientelist, okult, korruptiv teksa këtë status e kanë marrë drejtorë të korruptuar të Bashkisë Tiranë, apo kriminelë të dënuar për trafiqe e krime nga më të rëndat. Nga 57 projekte të cilat kanë marrë përfitime fiskale dhe ekonomike si pasojë e akordimit të statusit të investitorit strategjik, vetëm 4 janë tërësisht të huaja. Vetëm 4, ku ndër to përfshihet dhe projekti i pronarëve fantazmë të Portit të Durrësit. Qeveria e Edi Ramës nuk i do investitorët e huaj, dhe pse në fasadë duket se i miklon partnerët europianë me konferenca historike, deklarata bombastike e nisma integruese.

E vërteta është krejt tjetër. Marrëveshja e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Europian është shkelur me dhjetëra herë teksa sipërmarrjet europiane nuk ftohen të marrin pjesë në garat për investimet publike strategjike. Jo vetëm investimet e huaja kanë rënë për shkak të korrupsionit të kudondodhur, por dhe ato kompani europiane e perëndimore që operojnë ende në vend, duket se po largohen njëra pas tjetrës, si në sektorin bankar, të telekomunikacioneve apo dhe në atë tekstile e lëkurë.

Qeveria e Edi Ramës nuk i do bizneset europiane dhe perëndimore pasi ato kërkojnë standarde, mirëqeverisje, ligjshmëri. Bizneset europiane nuk i konkurrojnë dot kompani si 5D të cilat i çojnë 100% të tenderit drejtorit të korruptuar të rilindjes. Ky është filtri me të cilin duhet lexuar dhe vendimi më i fundit i Autoritetit Rrugor Shqiptar i cili shpalli së fundmi 13 procedura për investime publike strategjike me vlerë mbi 200 milion euro. Procedura e sapo shpallur nga ARRSH, drejtori VIP i të cilës u arrestua nuk ka pak kohë, u kërkon kompanive të huaja dhe europiane të bëjnë ekuivalentimin e licencave të tyre pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë shqiptare, para se të aplikojnë. Në të kundërt ato skualifikohen. Ndërkohë që procedura e ekuivalentimit zgjat 38 ditë, afatet për të aplikuar për këto tenderë zgjasin nga 30 deri në 35 ditë.

Bizneseve europiane u themi Shqipëria nuk është e hapur për biznes, ndërkohë kompanive fantazëm si ajo e inceneratorit, u jepen pikë bonus edhe para se të krijohen apo të regjistrohen në QKB. Ky është standarti anti-perëndimor, anti-biznes, anti-konkurrencë i Edi Ramës, i Erion Veliajt, i Evis Berberit, i Mariglen Qatos, i Redi Mollës, i Taulant Tushës dhe i gjithë sektit të Rilindjes që ushqehet me tendera fiktivë e grabitje taksash. Ndaj të premten, në orën 11:00, Tirana duhet të dalë në shesh për t’i dhënë fund, o sot o kurrë, kësaj babëzie korruptive të pafre.

akil kraja kompania 5d ligji per investimet strategjike

Sondazh

Poll