Bota

Sulmi me thikë në Sidnej la të vdekur gjashtë persona/ Autori veproi i vetëm, ngjarja nuk kishte motive terroriste

Kjo ishte vrasja më e rëndë masive në Sidnej që nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Quakers Hill në vitin 2011, i cili vrau 11 njerëz.

13 Prill 2024, 16:27 Nga r.ll
Sulmi me thikë në Sidnej la të vdekur gjashtë persona/
autori dhe pamje nga vendngjarja

AUSTRALI- Komuniteti i Sidnejt është ende në gjendje shoku pas incidentit të përgjakshëm që ndodhi ditën e sotme në qendrën e madhe tregtare Bondi Junction Westfield, kur një 40-vjeçar hyri brenda dhe filloi të sulmonte me thikë pa dallim mes njerëzve që kishin dalë për të bërë pazar.

Si pasojë e këtij sulmi, pesë persona humbën jetën brenda në qendër tregtare, ndërsa një nënë 38-vjeçare ndërroi jetë pak më vonë në spital, duke u përpjekur të mbronte foshnjën e saj 9-muajshe nga sulmet e 40-vjeçarit. Sipas përditësimit të fundit nga Policia dhe me hetimet në vazhdim, nuk ka asnjë provë që vërteton se sulmuesi, kishte motive terroriste apo ideologji radikale, shkruajnë mediat e huaja. 

Burri, i cili njihet për policinë, u vra nga një efektive femër në vendin e krimit. Policia është e sigurt se ai po vepronte i vetëm. “Ky nuk është një incident terrorist. Jemi të bindur se nuk ka rrezik të vazhdueshëm”, tha zëdhënësja e Policisë. “Nëse ai është personi që ne besojmë, atëherë ai nuk ka asnjë fanatizëm. Me fjalë të tjera, nuk është një incident terrorist” , shtoi zëdhënësja, duke theksuar se është ende herët për të komentuar gjendjen e tij psikologjike.

Kjo ishte vrasja më e rëndë masive në Sidnej që nga zjarri në shtëpinë e të moshuarve në Quakers Hill në vitin 2011, i cili vrau 11 njerëz. Një nga zëdhënësit e policisë tha se sulmuesi, motivet e të cilit nuk janë përcaktuar, fillimisht u pa në qendër rreth orës 15:00 (me orën lokale), u largua dhe u kthye pas 20 minutash, duke filluar të godiste me thikë njerëzit pa dallim. Një punonjës policie, i cili ka qenë rastësisht në vendngjarje, ka ndjekur sulmuesin dhe kur ajo ka arritur tek ai, ai ka shkuar për ta sulmuar me thikën që mbante në dorë. Më pas, ajo e qëlloi atë dhe e hodhi në tokë, duke pritur për një mbështetje.

Për incidentin tragjik u informua kryeministri i Australisë, Anthony Albanese , i cili tha në "X": “Kjo është një tragjedi. Janë raportuar viktima të shumta dhe mendimet e para të të gjithë australianëve janë me të prekurit dhe të dashurit e tyre. Zemrat tona janë për ata të plagosur dhe falënderojmë ata që kujdesen për ta, si dhe oficerët tanë të guximshëm të policisë dhe reaguesit e parë."

Australia ka një nga ligjet më të rrepta për armët dhe thikat. Sulmet si ky i sotmi janë jashtëzakonisht të rralla në vend. Në nëntor 2018, një burrë i armatosur me thikë vrau një person dhe plagosi dy të tjerë në një rrugë të Melburnit përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. Organizata Shteti Islamik mori përgjegjësinë për këtë krim.

vrasje ne sidnei

Sondazh

Poll