Bota

De Croo: Belgjika do të hetojë ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e ardhshme të BE-së

De Croo tha se agjencitë belge po punojnë ngushtë me autoritetet çeke pas zbulimit të një operacioni të ndikimit pro-rus atje. Ai tha se hetimi tregoi se anëtarëve të Parlamentit Evropian iu afruan dhe iu ofruan para për të promovuar propagandën ruse.

12 Prill 2024, 13:50 Nga N.F
De Croo: Belgjika do të hetojë ndërhyrjet ruse në zgjedhjet
Alexander De Croo

BRUKSEL - Kryeministri belg, Alexander De Croo njoftoi të premten se ka nisur një hetim mbi ndërhyrjen e dyshuar ruse në zgjedhjet mbarë Evropës në qershor. De Croo më tej u shpreh se se shërbimi i inteligjencës së vendit të tij ka konfirmuar ekzistencën e një rrjeti që përpiqet të minojë mbështetjen për Ukrainën.

“Shërbimet e inteligjencës belge kanë konfirmuar ekzistencën e rrjeteve të ndërhyrjes pro-ruse me aktivitete në disa vende evropiane dhe gjithashtu këtu në Belgjikë”, tha De Croo, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian.

De Croo tha se agjencitë belge po punojnë ngushtë me autoritetet çeke pas zbulimit të një operacioni të ndikimit pro-rus atje. Ai tha se hetimi tregoi se anëtarëve të Parlamentit Evropian iu afruan dhe iu ofruan para për të promovuar propagandën ruse.

“Sipas shërbimit tonë inteligjent, objektivat e Moskës janë shumë të qarta. Objektivi është të ndihmojë në zgjedhjen e më shumë kandidatëve pro-rusë në Parlamentin Evropian dhe të përforcojë një narrativë të caktuar pro-ruse në atë institucion," u tha ai gazetarëve.

De Croo tha se qëllimi është shumë i qartë: një mbështetje e dobësuar evropiane për Ukrainën i shërben Rusisë në fushën e betejës dhe ky është qëllimi i vërtetë i asaj që është zbuluar në javët e fundit.

Vendet e BE-së kanë dhënë miliarda euro në Ukrainë, së bashku me sasi të konsiderueshme armatimi dhe municioni. Ata gjithashtu kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të lartë rusë, duke përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, bankat, kompanitë dhe sektorin e energjisë që nga pushtimi në shkallë të plotë në shkurt 2022.

Por ndërsa lufta është zvarritur, me trupat ruse që duket se tani kanë një avantazh të vogël , kjo mbështetje është bërë gjithnjë e më e vështirë për t'u mbajtur. Hungaria, mbështetësi më i afërt evropian i Putinit, ka shtyrë dërgimin e fondeve në Ukrainë dhe po kërkon që të zhvillohen bisedimet e paqes.

alexander de croo be rusia zgjedhje

Sondazh

Poll