Sport

Stefano Pioli për Romën e De Rossit: “Është një histori krejtësisht tjetër”…

Trajneri i Milanit sheh një ndryshim të thellë pas largimit të José Mourinhos

11 Prill 2024, 10:41 Nga DOSJA
Stefano Pioli për Romën e De Rossit: “Është një

ITALI - Klasikja italiane mes Milanit dhe Romës po përgatitet për edicionin e tij të parë evropian, me një biletë për gjysmëfinalet e Europa League, një kompeticion që asnjë klub prej tyre nuk e ka fituar.

‘San Siro’ pret ndeshjen e parë këtë të enjte (21:00) dhe historia e fundit i jep përparësi ekipit të Milanit. Roma është në një seri prej 13 ndeshjesh pa fituar ndaj kuqezinjve. Fitorja e fundit ishte në tetor të vitit 2017... me De Rossin që ishte në mesfushë.

Milani i ka fituar të dyja ndeshjet kundër romakëve këtë sezon, por trajneri Stefano Pioli paralajmëron se kundërshtari nuk është i njëjtë, pasi De Rossi zëvendësoi José Mourinhon në stol. "Është një mënyrë loje krejtësisht e ndryshme. Ne nuk i kemi parë ato dy ndeshje kundër Romës, kemi studiuar konceptet e reja që De Rossi futi në skuadër. Për më tepër, është një tjetër provë... një histori krejtësisht tjetër", shpjegon ai.

Me titullin e Serisë A që praktikisht i është dorëzuar Interit, Pioli pranon se Europa League merr një rëndësi të veçantë për ‘kuqezinjtë’: "Është një objektiv i rëndësishëm për ne, jemi të fokusuar te ai. Ekipet në garë janë të një niveli shumë të lartë."

Te Roma, De Rossi gjithashtu nuk e fsheh ambicien e tij për të arritur në finale. Do të ishte i treti radhazi për klubin, i cili me José Mourinhon fitoi Conference League në vitin 2022 dhe ishte finalist në Europa League sezonin e kaluar. "Ne nuk jemi këtu vetëm për t'u paraqitur. Ne duam të fitojmë dhe të ecim përpara. Nuk ka barazime. Pavarësisht nëse është nesër [sot] ose javën tjetër, ne duhet të fitojmë."

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll