Bota

Takimi me Bouyx, Konjufca: Vendimi për Manastirin e Deçanit tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor

Konjufca ka falënderuar Bouyx për punën e tij dhe për mbështetjen e Francës si shtet partner, duke i shprehur mirënjohje për angazhimin që kjo fazë e parë për anëtarësimin e Kosovës në KiE të kalohej me sukses.

2 Prill 2024, 22:09 Nga N.F
Takimi me Bouyx, Konjufca: Vendimi për Manastirin e Deçanit tregon
Konjufca

KOSOVË- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë së KiE-së, Bertrand Bouyx me të cilin  diskutuan për votimin e 27 marsit, ku u miratua raporti që rekomandon se Republika e Kosovës duhet të ftohet të bëhet shtet anëtar në Këshillin e Evropës.

Konjufca ka falënderuar Bouyx për punën e tij dhe për mbështetjen e Francës si shtet partner, duke i shprehur mirënjohje për angazhimin që kjo fazë e parë për anëtarësimin e Kosovës në KiE të kalohej me sukses.

“Kryetari Konjufca u shpreh se mekanizmat dhe institucionet e shtuara në disponim për Kosovën, siç është edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do t’ia rrisin edhe më tej punën dhe rezultatin pozitiv vendit tonë në gamën e vlerave të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Anëtarësimi në KiE nuk është përfundim, por fillim i një angazhimi edhe më të madh në këtë drejtim”, thuhet në komunikatë.

Konjufca u shpreh edhe rreth vendimit për Manastirin e Deçanit. Ai tha se ky ishte një vendim i vështirë dhe pikërisht kjo tregon vendosmërinë e Kosovës për shtet ligjor. Bouyx e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehu mbështetjen e tij për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duke qenë shumë optimist se ky proces do të përfundojë me sukses. 

konjufca bouyx kie

Sondazh

Poll