Bota

25 vite nga masakra me 59 të vrarë në Pejë, Kurti: Jemi shtet që s’i harron e as s’i fal krimet e kryera nga Serbia

Ai tha se xhamia e Lybeniçit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatikeme qëllim që askush prej të gjithë tyre të mos shpëtonte i gjallë.

1 Prill 2024, 17:43 Nga N.F
25 vite nga masakra me 59 të vrarë në Pejë, Kurti: Jemi
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë sot në ceremoninë përkujtimor për të vrarët e masakrës së Lybeniçit të Pejës ku u mbushen plot 25 vite nga kjo masakër. Gjatë fjalës së tij Kurti u shpreh se ushtarët serbë i ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty.

“Atë ditë, në 07:00 të mëngjesit, pjesëtarë të njësitit “Çakejt”, që ishin pjesë e njësitit “177” në Pejë të ushtrisë jugosllave, bashkë me pjesëtarë të njësitit ushtarak të Mbrojtjes Territoriale, u futën këtu në Lybeniç. Brenda pak minutash, u dëbuat nga shtëpitë tuaja dhe ju mblodhën pothuajse të gjithë banorët e Lybeniqit në mes të fshatit, afër xhamisë. Sipas skenarit të krimit, ushtarët serbë i ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, që i urdhëruan të niseshin për në Shqipëri, kurse burrat i mbajtën aty”, tha Kurti në tubim.

Ai tha se xhamia e Lybeniçit atë ditë u kthye në një vend krimi, kur ushtarët e Serbisë shtinë me armë automatikeme qëllim që askush prej të gjithë tyre të mos shpëtonte i gjallë.


“Nën pirgun e kufomave, mbijetuan 7 burra, kurse u vranë 59 burra të familjeve: Alimehaj, Ukshinaj, Huskaj, Hamzaj, Bobi, Shoshi, Morina, Jahmurataj, Avdullahaj, Bushati, Sylaj, Haradinaj, Rrustemaj, Lokaj, Rexhaj, Tahiraj dhe Berisha”, tha Kurti, duke theksuar se kjo masakër u dokumentua më 1999 edhe nga Human Rights Watch.

Kurti tha se ka dëshmitarë, të mbijetuar dhe trashëgimtarë të asaj historie që dëshmojnë se Serbia kreu spastrim etnik ndaj shqiptarëve vendas në Kosovë, kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.

“Ne jemi një shoqëri dhe një shtet që nuk i harron as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Jemi një popull i gatshëm për të dëshmuar, jemi Republika që dita ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, për t’i adresuar krimet e luftës. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht si Kryeministër i saj, në vazhdimësi i kam inkurajuar dhe kam bashkëpunuar me shumë institucione dhe mekanizma shtetëror, për dokumentimin, memorializimin dhe adresimin e gjithë historisë dhe trashëgimisë së luftës në Kosovë. Ne jemi të vendosur që në këtë rrugë të shkojmë deri në fund, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të munden t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës”, tha Kurti.

Kryeministri tha se Serbia vazhdon ta shmangë përgjegjësinë e saj si shtet për krimet në Kosovë.

kosova serbia krime lufte

Sondazh

Poll