Politike

"Na dha reputacion të mirë!", Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit

Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh ishin opozita e parë që kërkuan anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit ku më tej shtoi se kjo u dha reputacion të mirë

28 Mars 2024, 13:32 Nga N.F
"Na dha reputacion të mirë!", Berisha: Ishim opozita e
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka qenë i pranishëm në aktivitetin e zhvilluar ditën e sotmë në kuadër të 15 vjetorit të anëtarësimit në NATO për mes një video-mesazhi live. Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh ishin opozita e parë që kërkuan anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit ku më tej shtoi se kjo u dha reputacion të mirë

Më tej Berisha u shpreh se PD sapo u themelua shpalli se anëtarësimi në NATO do të ishte objektivi i saj i paqëndrueshëm. Ai shtoi se ky qëndrim paksa i veçantë, i dha Shqipërisë një reputacion të mirë në qarqet atlantike.

Fjala e plotë:

Ne sot nderojmë 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, por me datën 4 prill ne nderojmë 75-vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, më 4 prill të vitit 1949 në Uashington. Edhe ky themelim ishte mrekullia më e madhe e lirisë së kombeve, të hapësirës euroatlantike, pas Luftës së Dytë Botërore.

Themelimi i NATO-s, 75 vite më parë, në konceptin e presidentit Truman, ishte garantimi i sigurisë kolektive të këtyre kombeve, dhe jo vetëm të kombeve që dolën fitimtare nga lufta, por edhe atyre që u ndodhën në pozicionin tjetër, por që kishin përqafuar rrugën e lirisë, për t’i mbrojtur ata që të ndërtojnë në paqe të ardhmen e tyre, dhe për t’i mbrojtur nga ekspansioni i sistemit komunist.


NATO përmbushi misionin e saj historik. Kampi socialist u shpërbë. Falimentoi sistemi komunist në vendet ish-komuniste. Së bashku me të, u shpërbë edhe blloku i Traktatit të Varshavës. Në këtë kontekst, rënia e Murit të Berlinit e gjeti NATO-n, pasi kishte humbur kundërshtarin e saj dhe pikëpyetjet mbi të ardhmen e saj ishin jo të pakta. Por mendoj se përgjigjen e parë më të drejtë, por edhe të një rëndësie jetike për të ardhmen e NATO-s, e dhanë dy shtetarë vizionarë: Helmut Kohl dhe Xhorxh Herbert Bush. Kancelari gjerman Helmut Kohl punonte për një Gjermani të bashkuar në NATO dhe BE. Duhet të pranojmë, përveç presidentit Bush, udhëheqësit e tjerë të asaj kohë, nuk ndjeheshin mirë me bashkimin e Gjermanisë.


Presidenti Bush e mbështeti plotësisht procesin, me opinionin dhe bindjen, se një Gjermani e bashkuar, ishte fitore e lirisë, ishte fitore e Europës. Rënia e Murit të Berlinit solli rënien e diktaturave komuniste në Europë njëra pas tjetrit. E fundit ra në Shqipëri diktatura komuniste.
Por duhet të theksojmë se nga të gjitha opozitat e vendeve ish-komuniste, do të ishte opozita shqiptare e para, ajo që do kërkonte anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.


Kjo, ndoshta sepse opozitat e vendeve të tjera, përsëri ndjenin frikën e Rusisë dhe shpallën si kërkesë të tyre asaj kohe, neutralitetin apo botën pa blloqe, gjë që përbënte një gabim, sepse ishte një reminishencë e diplomacisë para rënies së Murit të Berlinit. Kjo kishte ndikim në psikologjinë e përgjithshme, por kjo nuk ndodhi me opozitën shqiptare. Sapo u ngrit në këmbë, sapo u themelua, PD shpalli se anëtarësimi në NATO do të ishte objektivi i saj i paqëndrueshëm.
Mendoj se ky qëndrim paksa i veçantë, i dha Shqipërisë të paktën një reputacion të mirë në qarqet atlantike.

berisha pd nato

Sondazh

Poll