Politike

Berisha: Anëtarësimi në NATO ishte mrekullia më e madhe për Shqipërinë që nga shpallja e pavarësisë

Ai shtoi se NATO si sistem i sigurisë kolektive, ishte mburoja, mbrojtja më vendimtare, më e fuqishme për një vend që për shkak të pozicionit të vet gjeografik, kishte njohur pushtimet më të shumta dhe më të egra.

28 Mars 2024, 13:30 Nga M.B
Berisha: Anëtarësimi në NATO ishte mrekullia më e madhe
Sali Berisha

TIRANA- Gjatë një eventi të organizuar nga Partia Demokratike në nder të përvjetorit të radhës të anëtarësimit të vendit në NATO, kreu i saj Sali Berisha mbajti fjalën e tij në një lidhje direkte. Berisha tha se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është dhe mrekullia më e madhe e lirisë dhe kombit shqiptar, që nga shpallja e pavarësisë gjer sot. Ai shtoi se NATO si sistem i sigurisë kolektive, ishte mburoja, mbrojtja më vendimtare, më e fuqishme për një vend që për shkak të pozicionit të vet gjeografik, kishte njohur pushtimet më të shumta dhe më të egra.

Berisha tha se anëtarësimi ishte një mrekulli gjithashtu, sepse 5 shekuj në një perandori lindore, nuk është se nuk patën ndikuar dhe nuk ndikuan në identitetin tonë, në këtë kontekst, sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e kombeve të qytetëruara perëndimore, ishte një arritje e jashtëzakonshme.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta.Së pari ju përshëndes ju, përshëndes oratorët që folën para meje dhe qytetarët shqiptarë kudo që janë. Sot ne nderojmë një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e cila në fakt është dhe mrekullia më e madhe e lirisë së Shqipërisë dhe kombit shqiptar, nga shpallja e pavarësisë gjer sot.

Më 1 prill të vitit 2009, Aleanca e Atlantikut të Veriut, vendosi të pranojë Shqipërinë, ish-vendin me propagandën më armiqësore ndaj saj për 46 vite, si anëtare të plotë të kësaj organizate. Në 46 vite diktaturë të egër staliniste, Shqipëria ishte jo vetëm vendi me propagandën më armiqësore, por ishte edhe vendi që zhvillonte betejat imagjinare më të shpeshta, me koston më të lartë kundër agresionit imagjinar të NATO-s. Miqtë e mi, kjo ishte mrekullia më e madhe e lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe për kombet e tjera, por për ne mendoj se më shumë se për çdo komb dhe vend tjetër.

NATO si sistem i sigurisë kolektive, ishte mburoja, mbrojtja më vendimtare, më e fuqishme për një vend që për shkak të pozicionit të vet gjeografik, kishte njohur pushtimet më të shumta dhe më të egra. Mjafton të rikujtoj këtu që pushtimi i fundit i saj, në prag të Luftës së Dytë Botërore, ishte një pushtim ta themi, i paregjistruar, në kuptimin që përveç gazetarëve dhe gazetave, duhet të pranojmë, ai akt agresioni i përcoll me indiferencë të plotë nga qeveritë e kohërave.

Për ne, anëtarësimi ishte një mrekulli gjithashtu, sepse 5 shekuj në një perandori lindore, të themi, nuk është se nuk patën ndikuar dhe nuk ndikuan në identitetin tonë. Dhe në këtë kontekst, anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e kombeve të qytetëruara perëndimore, ishte një arritje e jashtëzakonshme.

nato sali berisha

Sondazh

Poll