Politike

Berisha: Narkoeurot po falimentojnë fermerët në mbarë vendin, 80% e prodhimeve vijnë nga importi

Berisha argumentoi se të ashtuquajturat “narkoeurot” e bëjnë të paleverdisshëm ekportin. Ai akuzoi se buxheti i shtetit i përcaktuar si ndihmë për fermerët po jep vetëm 1/30 pasi të tjerat po vidhen.

25 Mars 2024, 20:28 Nga S.N
Berisha: Narkoeurot po falimentojnë fermerët në mbarë
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur sa i përket rritjes së importeve dhe problemeve të fermerëve shqiptarë me eksportin. Gjatë fjalimit të tij, Berisha tha se 80%e frutave, zarzavateve në Shqipëri vijnë nga importi, gjë që sipas tij është një zhvillim katastrofal për fermerët.

Berisha argumentoi se të ashtuquajturat “narkoeurot” e bëjnë të paleverdisshëm ekportin. Ai akuzoi se buxheti i shtetit i përcaktuar si ndihmë për fermerët po jep vetëm 1/30 pasi të tjerat po vidhen.

Berisha u ka bërë thirrje fermerëve të mbrojnë interesat e tyre dhe të ngrihen në protestë, ndërsa i quajti këto veprime të qeverisë si më armiqësoret.

Deklarata e plotë:

Këto ditë, po lexoja një zhvillim tjetër katastrofal për fermerët e mrekullueshëm të Korçës, të Myzeqesë, Shkodrës, Dibrës, Elbasanit, të mbarë Shqipërisë. Çfarë ka ndodhur? 80 përqind e frutave, zarzavateve në tezgat e shitjes, janë importi.
A nuk është kjo një gjëmë për Myzeqenë, për Divjakën, për Korçën, për Shkodrën, për Nënshkodrën?

A mund të imagjinohet kjo? Pse kjo? Sepse narkoeuro apo paraja e drogës, e bën krejtësisht të paleverdisshëm eksportin.
Ndaj dhe ata të cilët më parë mbillnin, furnizonin tregun, eksportonin, nuk kanë më leverdi. I lanë djerrë tokat dhe largohen në emigrim.

Për bujqsinë nuk mund të ketë gjë më të rëndë se sa një vend që në dy muajt e parë të vitit, mund të kishte suksesin më të madh në eksporte, importon 80 përqind të zarzavateve, 60 përqind të frutave. Po imagjinoni se çfarë gjëme është kjo për fermerët shqiptarë, për prodhuesit shqiptarë, për bujqësinë shqiptare. Ndaj dhe të dashur fermerë, kudo që jeni, duhet të ngriheni të mbroni interesat tuaja se ky është një shkatërrim i juaji. Çfarë po ndodh me ju?

Paraja e drogës e ka rrëzuar përtokë euron, prandaj nuk keni leverdi të eksportoni Çfarë po ndodh me ju? Në mënyrën më qesharake, më të turpshme, buxheti i shtetit ka përcaktuar si ndihmë gjithsej 1 të 30-tën e asaj që vjedhin, shpërdorojnë sipas KLSH, qeveritarët dhe zyrtarët e Shqipërisë. A e shihni pra të dashur qytetarë që bashkimi juaj në protestën kundër regjimit, është bashkim për mbrojtjen e interesave të tuaja jetike, për mbrojtjen e qenies tuaj?

Mund të numëroj çdo sektor, por narkoeuro është një gjëmë e zezë për prodhuesit shqiptarë dhe për të gjithë ata që mbaheshin me remitanca nga emigracioni. A mund të ketë veprime më armiqësore se këto? A mundet qytetarët të durojnë akte të tilla?

sali berisha partia demokratike

Sondazh

Poll