Sport

Trajneri Sergio Conceiçao akuzohet se ka sulmuar një arbitër në një turne fëmijësh...

Momente tensioni edhe me kryebashkiakun e Cartanyas, i cili ashtu si gjyqtari i ndeshjes denoncoi trajnerin e Portos

25 Mars 2024, 16:13 Nga DOSJA
Trajneri Sergio Conceiçao akuzohet se ka sulmuar një arbitër

SPANJE - Stuhi mbi Sergio Conceiçao. Kryetari i bashkisë së Cartaya, Manuel Barroso, raportoi për Radio Antena Huelva, se trajneri i Porto u përpoq të sulmonte arbitrin që po drejtonte finalen e turneut ndërkombëtar për ekipet e fëmijëve, ‘Copa Gafañote’, në Huelva, midis Porto dhe Sevilles, ku një prej djemve të tij ishte në fushë. 

Kryebashkiaku dhe gjyqtari i garës kanë denoncuar Sergio Conçeicao, i cili përmes avokatëve të tij mohon gjithçka dhe ka denoncuar kryebashkiakun për tentativë për të sulmuar djalin e tij, Moises Conceiçao.

Kryetari i bashkisë dha versionin e tij të ngjarjeve. “Pas fishkëllimës së fundit më thirri një punonjës. Ai më tha se disa njerëz sapo kishin hyrë në fushë për të sulmuar arbitrin. Unë vrapova për ta mbështetur, ai ishte gati të hynte në tunel. Para se të hynte, njërin prej tyre e goditi me shuplakë. Unë isha në mes, duke bërë mburojë dhe duke thënë se nuk duhet të hynin dot në fushë.

Ata me një qëndrim grotesk dhe arrogant më thanë: "Nuk e di me kë po flet". Unë e identifikova veten, si kryetari i bashkisë së Cartaya dhe i thashë: 'Më falni, nuk duhet të hyni në fushë dhe të sulmoni askënd'. Më pas ata filluan të më shanin, të mos më respektonin. Më shtynë, më kapën në qafë, u përpoqa të rezistoja duke i shtyrë, ndërsa autoritetet, Garda Civile, nuk mbërriti”.

Politikani spanjol, i cili paraqiti ankesën, tha gjithashtu se kishte marrë kërcënime me vdekje. “Më vonë mora vesh se ishte trajneri i ekipit të parë të Portos, i thashë kur e mora vesh: “Nuk të vjen turp që si drejtues i këtij klubi nuk më respekton dhe madje më sulmon? Ai vazhdoi të mos më respektonte dhe madje më kërcënoi se do të më vriste”.

Sipas “A Bola”, Conceiçao ka mohuar gjithçka, nëpërmjet avokatëve të tij, çdo lloj sulmi dhe ka raportuar se versioni i kryebashkiakut është larg realitetit. Trajneri portugez konfirmoi se ishte i pranishëm në turneun në Spanjë, pasi njëri nga djemtë e tij luan në ekipin e të rinjve të Portos. “Record” specifikon se Conceiçao do të bëjë një ankesë edhe kundër kryebashkiakut për akuzën e rreme për sulm dhe se ishte ai që nxiti tensionin duke goditur një nga fëmijët e tij në gjoks. 

“Dje, menjëherë pas ngjarjeve, është bërë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Manuel Barroso për tentativë sulmi ndaj djalit të Sérgio Conceiçao (Moises Conceiçao). Ne hedhim poshtë akuzat e bëra nga vetë kryetari i bashkisë, të cilat nuk janë të vërteta,”- lexojmë në një shënim i avokatit të trajnerit portugez.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll