Bota

Gjykata ruse refuzon padinë e nënës së Navalny ndaj burgjeve të Arktikut

Yulia Navalnaya, në rrjetin social X, tha se beson se rasti është mbyllur sepse autoritetet e burgut duhet të paraqesin informacion të detajuar për atë që ndodhi më 16 shkurt.

21 Mars 2024, 15:42 Nga S.B
Gjykata ruse refuzon padinë e nënës së Navalny ndaj burgjeve
Alexei Navalny

RUSI- Një gjykatë ka hedhur poshtë një padi të ngritur nga nëna e liderit të ndjerë të opozitës ruse Alexei Navalny kundër kolonisë së burgut të Rrethit Arktik ku ai vdiq. Ivan Zhdanov, një ish-këshilltar i Navalny, tha se gjykata në qytetin e vogël të Labitnangi, pranë kolonisë së burgut, e hodhi poshtë padinë me arsyetimin se vetë Navalny duhet të ishte paditësi.

“Alexei kishte ngritur disa padi për mosdhënien e kujdesit mjekësor në kolonitë e burgjeve. Ata po i refuzonin”, ka shkruar Zhdanov në një postim në Telegram. “Tani që e kanë vrarë, po e hedhin poshtë padinë e familjes së tij me gjuhë fyese”.

E veja e Alexei Navalny, Julia, duke iu referuar vendimit të gjykatës, tha sot se gjykata e rrëzoi padinë ndaj burgjeve ku vdiq i shoqi, sepse do të duhej të paraqisnin video dhe informacione të tjera për rrethanat e vdekjes së tij. Yulia Navalnaya, në rrjetin social X, tha se beson se rasti është mbyllur sepse autoritetet e burgut duhet të paraqesin informacion të detajuar për atë që ndodhi më 16 shkurt, ditën kur burri i saj i ndjerë u shpall i vdekur.

Familja dhe mbështetësit e Navalny akuzuan presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e tij, një akuzë që Kremlini e hodhi poshtë. Navalny i kishte mbijetuar një helmimi me një agjent nervor të epokës sovjetike në Rusi në vitin 2020 dhe vite trajtimi të ashpër në burg, duke përfshirë periudha të gjata të izolimit.

alexei navalny rusi

Sondazh

Poll