Bota

Raporti Botëror i Lumturisë 2024/ Finlanda vendi më i lumtur në botë për të 7-in vit radhazi, Shqipëria në vendin e 87

Raporti mat mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetin, lirinë, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit për të përcaktuar lumturinë kombëtare të një vendi.

20 Mars 2024, 10:29 Nga M.B
Raporti Botëror i Lumturisë 2024/ Finlanda vendi më i lumtur
Foto ilustruese

Finlanda kryeson sërish Raportin Botëror të Lumturisë për vitin 2024 ku të 7-in vit radhazi renditet si vendi i parë më i lumtur në botë. Raporti mat mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetin, lirinë, bujarinë dhe mungesën e korrupsionit për të përcaktuar lumturinë kombëtare të një vendi. Nga ky raport rezulton se për lumturinë, Shqipëria renditet në vendin 87, duke rënë 5 vende në krahasim me vitin 2023 kur ishte në vendin e 83-të të listës. Sa i takon grupmoshave, Shqipëria deri në moshën 30-vjeç ka një përmirësim duke kaluar në vendin e 66-të, krahasuar me një vit më parë ku renditej e 80-ta, ndërsa për moshat 60-vjeç e lart indeksi e liston vendin tonë të 100-in. 

Kosova renditet në vendin e 29 për indeksin e lumturisë, rritje krahasuar me një vit më parë kur ishte renditur në vendin e 34. Për grupmoshën deri në moshën 30-vjeç Kosova është renditur në vendin e 23, ndërsa për të moshuarit 60-vjeç e lart renditet në vendin e 39. Sa i takon vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia renditet në vendin e 37-të, Bosnje Hercegovina në vendin e 65-të, Mali i Zi në vendin e 76, dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 84. Greqia renditet në vendin e 58-të, Kroacia në vendin e 63 apo Italia në vendin e 42-të. 

Britania ra në renditje, e cila ishte në vendin e 20-të pas vendeve si Lituania ose Republika Çeke, si dhe SHBA-të, të cilat ranë 8 vende në krahasim me vitin 2023. Në vit më parë SHBA-të ishin në vendin e 15 ndërsa këtë vit në vendin e 23-të. Holanda (nr. 6), Luksemburgu (nr. 8), Zvicra (nr. 9) dhe Australia (nr. 10) mbyllin 10-shen e parë. Afganistani mbetet vendi më i ulët në botë për lumturinë. Në fund renditen edhe Libani, Lesoto, Sierra Leone dhe Kongo.

Raporti bazohet në të dhënat e sondazheve globale nga njerëz në më shumë se 140 vende, bazuar në përgjigjet dhe vlerësimet e qytetarëve të vendeve në lidhje me jetën e tyre dhe emocionet pozitive dhe negative që ata përjetojnë. Vendet renditen sipas lumturisë bazuar në vlerësimet mesatare të jetës së tyre gjatë tre viteve të mëparshme, në këtë rast 2021-2023.

 

world happiness report research

Sondazh

Poll