Bota

Kanadaja pritet të ndalojë dërgesat e armëve në Izrael, Trudeau qëndrim kritik ndaj operacionit ushtarak në Gaza

Ndërsa theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka filluar të mbajë një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, të cilat po kryhen si hakmarrje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

20 Mars 2024, 10:31 Nga S.N

 

Kanadaja pritet të ndalojë dërgesat e armëve në Izrael,
Foto Ilustrim

KANADA- Kanadaja do të ndalojë dërgesat e armëve në Izrael, njoftoi dje një burim qeveritar pas një votimi në parlament për këtë çështje ."Ne jemi në një situatë ku realiteti në terren nuk na lejon më të eksportojmë armë në Izrael," tha burimi.

Parlamenti kanadez miratoi të hënën një rezolutë jodetyruese në favor të një armëpushimi të menjëhershëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Ajo rezolutë gjithashtu i bëri thirrje qeverisë të pezullojë miratimet dhe dërgesat e armëve në Izrael.

“Pas datës 7 tetor kemi miratuar vetëm licencat për pajisjet jovdekjeprurëse. Dhe, duke pasur parasysh zhvillimin e shpejtë të situatës në terren, ne nuk kemi miratuar asnjë leje që nga 8 janari”, tha Ministrja e Jashtme kanadeze Melanie Jolie, e cila vizitoi Lindjen e Mesme javën e kaluar.

Licencat e shitjes së armëve të miratuara nga Kanadaja pas fillimit të luftës në Gaza ishin ekskluzivisht për eksportet e pajisjeve jo-vdekjeprurëse si pajisjet e komunikimit, shpjegoi burimi qeveritar.

Ndërsa theksoi se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka filluar të mbajë një qëndrim gjithnjë e më kritik ndaj operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, të cilat po kryhen si hakmarrje për sulmin e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Sipas radiostacionit Radio-Canada, në vitin 2022 Otava ka eksportuar pajisje ushtarake në Izrael në vlerë prej më shumë se 21 milionë dollarë kanadezë, ndërsa në vitin 2021 vlera e tyre ishte 26 milionë dollarë kanadezë.

Ministri i Jashtëm izraelit Israel Katz e quajti vendimin e Kanadasë të pafat, i cili minon të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur. “Historia do ta gjykojë ashpër këtë vendim të qeverisë kanadeze”, komentoi ai në një deklaratë.

Në SHBA, senatori demokrat Bernie Sanders përshëndeti vendimin e Kanadasë në një postim në X. “Duke pasur parasysh shkatërrimin humanitar në Gaza, veçanërisht urinë e përhapur dhe në përkeqësim, SHBA-ja nuk duhet të kontribuojë asnjë cent më shumë në makinën e luftës të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu”, komentoi ai.

Në shumë vende ka pasur sfida ligjore kundër furnizimit me armë për Izraelin. Në Kanada, një grup avokatësh dhe qytetarësh me origjinë palestineze ngritën një padi kundër qeverisë në fillim të marsit duke kërkuar pezullimin e eksporteve të armëve në Izrael.

izrael kanada

Sondazh

Poll