Sport

Drejtori i Fiores në gjendje kritike për jetën! Mbahet në reaminacion, "i mbështetur nga makineritë"...

Joe Barone pësoi një atak në zemër dhe mbijeton vetëm me mbështetje artificiale

18 Mars 2024, 16:04 Nga DOSJA
Drejtori i Fiores në gjendje kritike për jetën! Mbahet në

ITALI - Fiorentina lëshoi ​​një deklaratë mëngjesin e kësaj të hëne, duke përditësuar gjendjen shqetësuese shëndetësore të drejtorit të saj të përgjithshëm, Joe Barone.

“Barone mbetet i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit San Raffaele, në Milano, në gjendje kritike klinike (…) funksionet e tij jetësore po mbështeten nga teknikat mekanike artificiale”, thuhet në deklaratë.

Barone ishte ndier keq të dielën, kur ndodhej me skuadrën e Fiorentinës në një hotel në Bergamo, ku në orën 17 do të përballeshin me Atalantën. Ai duhej të transportohej në spital dhe ndeshja u shty menjëherë. Megjithatë, u mësua se menaxheri, sipas ‘Gazzeta dello Sport’ , kishte pësuar një atak në zemër.

57-vjeçari mban postin e drejtorit të përgjithshëm te Fiorentina që nga viti 2019 dhe luan një rol të rëndësishëm në punën e përditshme të klubit, ku merret me të gjitha llojet e çështjeve, nga shkollat ​​e stërvitjes deri tek ekipi i parë.

Fatkeqësisht, kjo situatë na kujton diçka të ngjashme që i ndodhi një tjetër anëtari, të lidhur me violën, kur kapiteni i atëhershëm i ekipit, Davide Astori, në moshën 31-vjeçare, ndërroi jetë për shkak të një problemi në zemër gjatë një takimi të skuadrës në vitin 2018.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll