Bota

Koreja e Veriut rinis testimet raketore duke rritur tensionet me rivalët

Testimet janë kryer disa ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake mes Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat verikoreanët i konsiderojnë si përgatitje për pushtim.

18 Mars 2024, 08:54 Nga N.F

 

Koreja e Veriut rinis testimet raketore duke rritur tensionet me rivalët
Foto ilustruese

KORE- Koreja e Veriut i ka lëshuar disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të hënën në ujërat e saj lindore, kanë raportuar vendet fqinje. Testimet janë kryer disa ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake mes Koresë Jugore dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat verikoreanët i konsiderojnë si përgatitje për pushtim.

Testimet e raketave – të parat të verikoranëve në muajin e fundit – janë kryer teksa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka qenë në Seul për një konferencë. Ekspertët e huaj kanë parlaajmëruar për veprime të tilla të verikoreanëve, dhe ashpërsim të retorikës së luftës, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në Shtetet e Bashkuara.

Ministria japoneze e Mbrojtjes ka thënë se Koreja e Veriut i ka lëshuar tri raketa të hënën. Kryeministri japonez Fumio Kishida, i ka thënë parlamentit se raketat verikoreane kanë rënë në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë, jashtë zonës ekonomike japoneze, dhe se nuk raportohet për dëme.

Kishida i ka dënuar veprimet e shpeshta të tilla të Koresë së Veriut, duke thënë se testimet raketore “kërcënojnë paqen dhe sigurinë e Japonisë, rajonit dhe shoqërisë ndërkombëtare”. Edhe ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se i ka vërejtur lansimet e raketave, dhe këto veprime i ka cilësuar si “provokime të qarta” që kërcënojnë paqen në Gadishullin Korean.

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka dënuar, po ashtu, lansimet e raketave, duke thënë se ato kërcënojnë fqinjët e Koresë së Veriut dhe që përkushtimi amerikan për të mbrojtur Japoninë dhe Korenë e Jugut është “i hekurt”.

SHBA-ja i ka rreth 80.000 trupa ushtarake në Korenë e Jugut dhe Japoni. Përgjatë stërvitjeve ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut, lideri verikorean, Kim Jong Un ka udhëzuar ushtrinë e tij për të rritur përgatitjet për luftë.

Ekspertët besojnë se Koreja e Veriut shpreson që posedimi i një arsenali më të madh të armëve do t’ia shtojë mundësitë për të rritur pazarin në negociatat potenciale që mund të ketë me SHBA-në në të ardhmen. Ata besojnë se verikoreanët dëshirojnë t’iu hiqen sanksionet ndërkombëtare, por edhe të vazhdojnë të posedojnë armë bërthamore.

Marrë nga REL

testime raketa kore e veriut

Sondazh

Poll