Bota

Bislimi do të marrë pjesë në takimin e radhës në Bruksel, Kadiu: Fokus i diskutimeve do të jetë avancimi i zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit

Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit përmes një postimi në Facebook ka thënë se në fokus të agjendës së diskutimeve do të jetë avancimi i zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit.

15 Mars 2024, 22:45 Nga N.F
Bislimi do të marrë pjesë në takimin e radhës në
Bislimi

KOSOVË- BE-ja ka konfirmuar takimin e radhës mes Kosovës dhe Serbisë e cila pritet të mbahet të martën, ku do të diskutohet çështja e dinarit në nivel kryenegociatorësh. Klisman Kadiu, këshilltar i Besnik Bislimit përmes një postimi në Facebook ka thënë se në fokus të agjendës së diskutimeve do të jetë avancimi i zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit.


“Pas takimit të 5 marsit të javës së kaluar me emisarin Lajçak, zëvendëskryeministri Bislimi ka pranuar një ftesë nga ai, për takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut, në nivel kryenegociatorësh, për të martën e ardhshme. Ftesa potencon si fokus të agjendës së diskutimeve avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin Zbatues,” shkruan ai.

Kadiu më tej shkruan se Kosova u përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat çojnë përpara finalizimin e procesit të dialogut.

“Kosova i përgjigjet pozitivisht ftesave të cilat kanë për qëllim përqendrimin në rrugën përpara e zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të procesit të dialogut, të cilat duhet të çojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe finalizimit të procesit. Qasja jonë konstruktive duhet të njihet me konstruktivitet e bashkëpunim dhe nga pala tjetër”, ka shkruar Kadiu.

bislimi kadiu be kosova serbia

Sondazh

Poll