Bota

Sulmi në Banjskë/ Escobar: Mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative me Serbinë

Hetimi është kryer me përfshirjen e Policisë së Kosovës, dhe sipas Escobar, rezultatet janë të afërta me informatat e tyre.

15 Mars 2024, 14:53 Nga S.B
Sulmi në Banjskë/ Escobar: Mendojmë se ka pasur disa lidhje
Gabriel Escobar

KOSOVË- Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, Gabriel Escobar, ka bërë deklarata lidhur me hetimet e lidhjeve të mundshme të shtetit serb me terroristët në Banjskë. Hetimi është kryer me përfshirjen e Policisë së Kosovës, dhe sipas Escobar, rezultatet janë të afërta me informatat e tyre.

“Ne mendojmë se ka pasur disa lidhje financiare dhe organizative, por ne po e hetojmë atë plotësisht. Por, për sa i përket krimit që është kryer, mendoj se hetimi është bërë me kompetencë nga Policia e Kosovës. Nuk kishim nevojë të bënim një hetim. Ne kishim inteligjencë dhe rezultatet e hetimit janë shumë afër me atë që kemi kuptuar. Pra, ne nuk po i kërkojmë Serbisë një hetim lidhur me atë që ka ndodhur më 24 shtator. Ne po kërkojmë përgjegjësi”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë përgjegjësi për sulmin e 24 shtatorit dhe insistojnë që Milan Radojiçiqi, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin, të arrestohet dhe të përballet me drejtësinë.

“Nuk e di për Kosovën, por hetimet janë duke vazhduar, janë duke vazhduar me kompetencë. Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të”, ka thënë Escobar.

Ndërkohë, në lidhje me ekstradimin e Radojiçiqit në Kosovë përballë drejtësisë, Escobar theksoi se çështja është në fokusin e tyre dhe po e trajtojnë si prioritet për llogaridhënie. Megjithatë, ai nuk ofroi komente konkrete në lidhje me masat e mundshme që do të marrin ndaj Serbisë nëse konfirmohet implikimi i tyre në sulmin në Banjskë.

gabriel escobar gabriel escobar ne kosove

Sondazh

Poll