Politike

"21 janari" i kaloi SPAK-ut, reagon Rama: U kthye në jetë shpresa e varrosur në mendjen e shqiptarëve

Rama shkruan se ndihet krenar që Partia Socialiste dha sipas tij kontribut në shembjen e pallatit të vjetër të drejtësisë përmes reformës në këtë sektor.

12 Mars 2024, 18:20 Nga r.ll
"21 janari" i kaloi SPAK-ut, reagon Rama: U kthye në jetë
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit se hetimet e dosjes së "21 janarit" do t'i kalojnë Prokurorisë së Posaçme.

Përmes një postimi në "X", Rama thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë ditën e sotme ka rikthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shqiptare. 

Rama shkruan se ndihet krenar që Partia Socialiste dha sipas tij kontribut në shembjen e pallatit të vjetër të drejtësisë përmes reformës në këtë sektor.

REAGIMI I PLOTË:

Vendimi i Gjykatës së Lartë sot për kthimin në jetë të dosjes së përgjakur të 21 janarit, ka kthyer në jetë shpresën e varrosur në mendjen e shumë shqiptarëve, se ajo dosje e një krimi të egër shtetëror do të dilte më nga varri i drejtësisë së kalbur shqiptare!

Ky vendim i ka rihapur rrugën e mbyllur kaq shumë vite, syrit së drejtësisë mbi vendin dhe autorët e atij krimi, duke e kthyer vendimin e qartë të Gjykatës Europiane të të drejtave të Njeriut në një mundësi konkrete për drejtësinë e re, që të bëjë histori me vendosjen e një drejtësie të drejtë ndaj abuzimit ekstrem me forcën e pushtetit ekzekutiv.

Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash, për kontributin unik që Partia Socialiste dha në shembjen e Sistemit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për durimin e pakicës sonë të mbetur vendosmërisht me shpresë tek drejtësia, në ballafaqimin e vështirë me mllefin legjitim të shumë të zhgënjyerve nga zvarritja e pafundme deri në varrosje e kësaj çështjeje; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm një drejtësi e re dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë.

Me frymëmarrjen e lehtësuar nga vendimi i sotëm dhe vetëdijen se rruga drejt shpagimit përfundimtar nga drejtësia e gjakut të pafajshëm të katër dëshmorëve të 21 janarit është ende e përpjetë, dua t’u them të gjithë atyre që e humbën shpresën në këto vite të gjata varrosjeje të asaj dosjeje dhe nuk i kursyen fjalët e hidhura në drejtimin tim e të PS: Keni të gjithë mirëkuptimin tim, po kurrë mos e humbni besimin tek forca jonë e përbashkët dhe Shqipëria që po bëjmë me përpjekjen tonë të përbashkët.

 

edi rama 21 janari spak

Sondazh

Poll