Bota

VIDEO/ Zyrtarisht anëtare e 32-të e aleancës, flamuri i Suedisë valëvitet në selinë e NATO-s në Bruksel

Në ceremoninë e mbajtur flamuri i Suedisë u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel pranë flamurit të Spanjës dhe Turqisë.

11 Mars 2024, 12:45 Nga N.F
VIDEO/ Zyrtarisht anëtare e 32-të e aleancës, flamuri i
Flamuri i Suedisë

BRUKSEL- Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO sot ka mirëpritur zyrtarisht anëtaren e 32- të të Aleancës, Suedinë. Në ceremoninë e mbajtur flamuri i Suedisë u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel pranë flamurit të Spanjës dhe Turqisë.

"Është një ditë historike," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg , duke mirëpritur Suedinë si anëtaren e 32-të të Aleancës në prani të kryeministrit suedez Ulf Kristerson. 

“Tashmë Suedia gëzon mbrojtjen e nenit 5, garancinë e plotë për lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj," theksoi Stoltenberg.

Ai më tej shtoi se hyrja e Suedisë në NATO e bën Aleancën dhe Suedinë më të sigurt dhe NATO-n më të fortë. Ai gjithashtu vuri në dukje se Putini donte më pak NATO por mori të kundërtën. Suedisë iu desh të priste dy vjet që anëtarësimi i saj të ratifikohej nga 31 anëtarët e Aleancës. Pas dy vitesh negociatash të ashpra me Turqinë për heqjen e vetos dhe në të njëjtën kohë përballur me hezitimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban, Suedia sot arrin të bëhet zyrtarisht anëtarja e 32-të e Aleancës. 

“Flamuri suedez është ngritur këtu, në selinë e NATO-s, me mbështetjen e fuqishme të parlamentit tonë dhe popullit suedez ”, tha kryeministri i vendit Ulf Kristerson në një konferencë të përbashkët për shtyp me Stoltenberg sot në Bruksel. Kryeministri suedez shtoi se situata e sigurisë në rajoni nuk ka qenë kurrë kaq serioze që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Rusia do të mbetet një kërcënim për Euro-Atlantikun.

Finlanda arriti të bëhej anëtarja e 31-të e Aleancës një vit më parë. Duke përmbysur një traditë dhjetëvjeçare të neutralitetit, të dy vendet nordike kishin aplikuar njëkohësisht për t'u bashkuar me NATO-n në prill 2022, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës.

 

nato bruksel suedi

Sondazh

Poll