Politike

BIRN: Miratohet në një proces të kontestuar afati i ri për investimet strategjike

Procesi i votimit u kontestua nga opozita si i parregullt dhe në mungesë koorumi, pasi verifikuan pjesëmarrjen në votim vetëm 68 deputetë socialistë, ndërsa deputetët opozitarë po vijonin protestën me pankarta dhe zhurmues për të bllokuar seancën.

7 Mars 2024, 14:12 Nga I.A
BIRN: Miratohet në një proces të kontestuar afati i ri për
Kuvend

TIRANË- Procesi i aplikimeve për investimet strategjike do të jetë i vlefshëm deri më 31 dhjetor 2024, pas votimit në seancë plenare të projektligjit që i zgjat afatin e zbatimit një prej ligjeve më të kontestuara të qeverisjes “Rama”. Procesi i votimit u kontestua nga opozita si i parregullt dhe në mungesë koorumi, pasi verifikuan pjesëmarrjen në votim vetëm 68 deputetë socialistë, ndërsa deputetët opozitarë po vijonin protestën me pankarta dhe zhurmues për të bllokuar seancën.

Kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi kontestoi votimin duke thënë se nuk kishte koorumin e nevojshëm, 71 deputetë.

Por, drejtuesja e seancës plenare, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj tha se pjesëmarrja në sallë e deputetëve të opozitës plotëson koorumin e punimeve edhe pse ata nuk morën pjesë në votim.

“Duhet shumicë e thjeshtë, jo shumicë absolute në votim”- tha ajo duke iu drejtuar Bardhit dhe shtoi se, “shërbimet e Kuvendit më thonë që koorumi është.”

Pas seancës, Bardhi këmbënguli se asnjë nga aktet ligjore që kaluan në seancë nuk mund të konsiderohet i miratuar ligjërisht.

Ndërsa për zgjatjen e afatit të ligji ai tha se, “kjo lidhet me interesin e mirëfilltë të një grushti oligarkësh dhe një grushti personash, anëtarë të krimit të organizuar që kanë marrë statusin e investitorëve strategjikë”.

Të lidhur me interesa personale të anëtarëve të qeverisë e cilësoi ligjin edhe deputeti Agron Shehaj. Ai tha para mediave se nga zbatimi i këtij ligji kanë përfituar drejtpërdrejt ministra dhe ish-ministra.

“Kanë vetëm një qëllim, të kapin çdo gjë që ka vlerë në bregdetin e Shqipërisë për të bërë resorte për vete dhe miqtë e tyre “- tha ai.

Ligji i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve.  Sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë' qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

Marrë nga Reporter.al

kuvend

Sondazh

Poll