Aktualitet

Ndërtim i paligjshëm/ Si u devijuan punimet në magazinën në Lushnje, veprimi që i mori jetën 2 personave

E premtja e 1 Marsit për babë e bir ishte dita e parë e punës, por për ironi të fatit dhe për mos respektimin e lejes së ndërtimit ishte dhe dita që u mori jetën. 

4 Mars 2024, 13:17 Nga Izmir Akulli
Ndërtim i paligjshëm/ Si u devijuan punimet në magazinën
Bujar Çela

Tragjedia që tronditi Lushnjen disa ditë më parë la pas 2 të vdekur dhe 6 të plagosur, përfshi këtu dhe pronarin magazinës që shpërtheu, deputetin socialist Bujar Çela. Shpërthimi ndodhi në momentin kur punëtori i vinçit Ronald Hoxha dhe djali i tij, po në vinç, aksidentalisht prekën telat e tensionit të lartë, veprim që iu mori dhe jetën.

E premtja e 1 Marsit për babë e bir ishte dita e parë e punës, por për ironi të fatit dhe për mos respektimin e lejes së ndërtimit ishte dhe dita që u mori jetën. Sot policia dhe grupi hetimor në Lushnje ka zbuluar se në Prokurorinë e Fierit është bërë referimi për tre vepra penale, ndërtim i paligjshëm pasi objekti ka devijuar nga leja, shkatërrim prone nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Por le të mbetemi pak te ndërtimi i paligjshëm, pasi objekti ka devijuar nga leja që i është dhënë nga Bashkia Lushnje. Duke qenë se objekti në ndërtim ishte i deputetit socialist Bujar Çela, me të njohurit e duhur dhe me postin politik që kishte, për të ishte e thjesht që të kërkonte më shumë seç kishte marrë leje, për të ngritur magazinën e tij. Por ky veprim i kushtoi jetën 2 punonjësve që ai kishte marrë në punë si dhe shkatërroi shumë banesa dhe ndërtime aty rrotull nga shpërthimi i fuqishëm. 

Deri më tani policia nuk ka njoftuar për asnjë person të marrë nën hetim për ngjarjen dhe askush nuk ka marrë fajin për 2 jetët e humbura, por e kanë lënë topin në fushën e vinçierit, që preku telat e tensionit të lartë. Por nëse do të respektoheshin rregullat dhe leja e dhënë, a do të ndodhte shpërthimi? Këtë përgjigje duhet që ta japin autoritetet përkatëse, pas hetimeve të plota për ngjarjen. 

Shpesh ndodh që policia të reagoj për ndërtimet e paligjshme, kur këto bëhen nga qytetarë të thjesht dhe kur ndërtohen kotece pulash. Por asnjëherë nuk ka asnjë reagim, kur ndërtimet pa leje bëhet nga biznesmen të fuqishëm dhe kur bëhen nga deputetë. Ky shpërthim tregon të gjitha shkeljet që ndodhin në Shqipëri në sektorin e ndërtimin dhe deri më tani nuk ka asnjë shkaktar për ngjarjen e rëndë që shkatërroi disa banesa e mori dy jetë njerëzish, që punojnë për të mbajtur familjen.

shperthim ne lushnje bujar çela

Sondazh

Poll