Bota

Lideri i bandave kërkon të rrëzojë qeverinë, Haiti shpall gjendjen e jashtëzakonshme nga përshkallëzimi i konflikteve

Grupet e armatosura sulmuan burgun më të madh të vendit të shtunën mbrëma, duke sfiduar forcat e policisë që kishin thirrur për ndihmë.

4 Mars 2024, 07:29 Nga r.ll
Lideri i bandave kërkon të rrëzojë qeverinë, Haiti
foto ilustruese

HAITI- Është shpallur gjendja e jashtëzakonshm pasi dhuna në kryeqytet çoi në lirimin e qindra të burgosurve nga qelia, ndërsa një udhëheqës i madh bande përpiqet të rrëzojë kryeministrin. Vendimi i qeverisë për gjendjen e jashtëzakonshme vjen pas një përshkallëzimi dramatik të përleshjeve gjatë fundjavës, të cilat paralizuan pjesë të Port-au-Prince dhe ndërprenë përkohësisht komunikimet.

Të shtëna me armë zjarri kanë shkaktuar panik ditët e fundit pas thirrjeve të kreut të bandës, Jimmy Cherizier, një ish-oficer policie, që grupet kriminale të bashkohen dhe të rrëzojnë Ariel Henry-n. Në një përpjekje për të rivendosur rendin, një shtetrrethimi do të zbatohet nga ora 18:00 deri në 5 të mëngjesit çdo ditë deri të mërkurën, i cili mund të zgjatet edhe për 72 orë të tjera, shkruan Sky News.

Grupet e armatosura sulmuan burgun më të madh të vendit të shtunën mbrëma, duke sfiduar forcat e policisë që kishin thirrur për ndihmë. Të dielën në IEVP nuk kishte asnjë shenjë të punonjësve të policisë dhe dyert kryesore të burgut qëndruan të hapura. Është e paqartë se sa të burgosur janë në arrati, por burime pranë institucionit thonë se ka të ngjarë të jetë një numër i madh.

Burgu u ndërtua për të mbajtur 700 të burgosur, por mbante 3,687 që nga shkurti i vitit të kaluar, sipas grupit të të drejtave RNDDH. Një punonjës vullnetar i burgut të dielën tha se 99 të burgosur kishin zgjedhur të qëndronin në qelitë e tyre nga frika se mos vriteshin nga zjarri.

Trupat e tre të burgosurve që kishin tentuar të arratiseshin shtriheshin të vdekur në oborrin e burgut të dielën , ndërsa dy trupa me duar të lidhura pas shpine shtriheshin me fytyrë poshtë në një lagje tjetër. Në mesin e atyre që janë ende në burg janë 18 ish-ushtarë kolumbianë, të cilët u burgosën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e Presidentit Jovenel Moise, paraardhësi i Henrit.

Cherizier kishte paralajmëruar vendasit në fillim të kësaj jave që t'i ndalonin fëmijët të shkojnë në shkollë për të shmangur dëmet kolaterale pasi dhuna u rrit ndërsa kryeministri kërkoi mbështetje jashtë vendit. Gati 15,000 njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre ditët e fundit, sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin. Kryeministri Henry, i cili erdhi në pushtet në vitin 2021 pas vrasjes së z. Moise, ishte zotuar më parë të largohej nga fillimi i shkurtit. Ai më vonë tha se siguria duhet së pari të rivendoset në mënyrë që të sigurohet zgjedhje të lira dhe të ndershme.

haiti banda kriminale

Sondazh

Poll