Politike

Rama merr pjesë online në samitin e liderëve të BP në Londër: Shqipëria ka ndryshuar shumë

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse investitorët duhet të investojnë në Shqipëri, Rama tha se vendi i tij vjet mbërriti shifrën prej 10 milionë turistësh.

26 Shkurt 2024, 11:12 Nga r.ll
Rama merr pjesë online në samitin e liderëve të BP në
edi rama

LONDËR- Ditën e sotme në Londër po mbahet Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor 2024 në selinë e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH). Në këtë takim do të marrin pjesë të gjashtë krerët e qeverive nga rajoni, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama, që do të marrë pjesë online dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij Rama tha se Shqipëria ka përparuar dhe ndryshuar shumë. Duke iu përgjigjur pyetjes se pse investitorët duhet të investojnë në Shqipëri, Rama tha se vendi i tij vjet mbërriti shifrën prej 10 milionë turistësh.

“Pse jo? Unë jam veteran i këtyre lloj formateve,sepse kam qenë i pranishëm që kur ka lindur ky format, para 10 vjetësh. Për 10 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi. Rajoni po shkon mirë dhe derisa bota po ashtu po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Prej një vendi me stigmën e një vendi të pasigurtë, në një vend i cili vitin e kaluar ka mbërri në një shifër prej 10 milionë turistësh, më shumë se trefishi i popullatës që kemi”, tha Rama.

Ai përmendi resurset e reja energjetike, ndërsa tha se më parë sistemi energjetik i Shqipërisë ishte gati duke u shkatërruar, për shkak se, siç tha ai, shumica e popullatës nuk paguante faturat. Rama tha se borxhi publik i Shqipërisë shënoi rënie historike nën 60% në fund të vitit të kaluar, pasi që kishte mbërritur majen, gati 80% për shkak të tërmetit tragjik, e po ashtu edhe pandemisë e cila erdhi menjëherë pas tërmetit.

Në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor për vitin 2024, presidenti i BERZH-it Odile Renaud-Basso dhe liderët e Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të prezantojnë vizionin e tyre për projektet kyçe rajonale dhe mundësitë e investimeve si në nivel rajonal ashtu edhe në secilin shtet. Qëllimi i Samitit është të nxjerrë në pah mundësitë e mundshme për investime dhe biznes në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të promovojë projekte rajonale dhe ndërkufitare. Ky është samiti i gjashtë i BERZH-it i këtij lloji. Samiti inaugurues u mbajt 10 vite më parë, në muajin Shkurt të vitit 2014, ku u mblodhën për herë të parë të gjithë kryeministrat e rajonit. BERZH mbetet një nga investitorët më të mëdhenj institucionalë në vendet e rajonit. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH ndaj deri tani në këtë rajon janë investuar mbi 18 miliardë Euro

 

edi rama samiti i investimeve ne ballkanin perendimor

Sondazh

Poll