Aktualitet

Mori nga dy persona 25 mijë euro për të ndikuar te gjyqtari/ GJKKO lë në fuqi masën "arrest shtëpie" për Petraq Semanin

Avokati akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

22 Shkurt 2024, 13:48 Nga r.ll
Mori nga dy persona 25 mijë euro për të ndikuar te gjyqtari/
petraq semani

SHBA- Avokati Petraq Semani është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë, pasi akuzohet  nga prokuroria se mori 25 mijë euro nga të afërm të një personi të dënuar me 15 vjet burg për plagosje të rëndë me pasojë vdekjen, për të ndikuar në zbutjen e dënimit të tij.

GJKKO la në fuqi masën e vendosur "arrest shtëpie" për avokatin. Avokati akuzohet për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Hetimet e prokurorisë zbuluan se Semani mori nga të afërm të personit të dënuar të identifikuar si Ll.D, 25 mijë euro. Kësti i parë prej 9550 euro i është dorëzuar në shtëpinë e Ll.D dhe dorëzimi i parave është filmuar. Pjesa tjetër e parave sipas prokurorisë i është dhënë avokatit me këste.

Hetimet e prokurorisë kanë gjetur se Semani nuk arriti të ndikonte vendimin e gjykatës. Sipas prokurorisë Ll.D u dënua me 15 vjet burg. Pas kësaj familja e të dënuarit duket se ka kërkuar t’i kthehen paratë.  “Nga shuma e përfituar në mënyrë të paligjshme, shtetasi nën hetim P. S., i ka kthyer shtetases S. D., shumën  prej 8000 (tetë mijë) Euro, ndërsa  pjesën e mbetur nuk ia ka kthyer”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Megjithatë prokuroria ngriti ndaj Semanit akuzë për korrupsion.  “Sa më sipër, nisur nga hetimet e kryera në kuadrin e këtij procedimi penal, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se shtetasi P. S., ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021)”, thuhet në njoftim.

petraq semani

Sondazh

Poll