Politike

Nallbati publikon amendamentin: S’kemi bërë asnjë propozim për faljen e të dënuarve nga GJKKO, e ka bërë Plarent Ndreca

Kjo ishte tentativë e PS-së nga relatori Ndreca për shtuar një amendament në Amnistinë Penale që parashikon faljen e zyrtarëve të dënuar për korrupsion nga GJKKO-ja.

21 Shkurt 2024, 20:57 Nga I.A
Nallbati publikon amendamentin: S’kemi bërë asnjë propozim
Bledion Nallbati

TIRANË- Deputeti demokrat, Bledion Nallbati ka mohuar pretendimet se ai ka propozuar amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Nallbati thekson se amendamenti që përflitet për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 është propozim i bërë nga relatori i PS-së Plarent Ndreca. Po ashtu Nallbati thekson se asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD nuk ka votuar pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve.

“Në projektligjin për Aministinë, ndryshe ngasa ka dezinformuar Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, nuk kam propozuar asnjë amendament që synon apo parashikon faljen e zyrtarëve të korruptuar, që janë dënuar apo gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Amendamenti që kam dorëzuar synon në thelb garantimin e barazisë midis të dënuarve meshkuj dhe femra, apo kategorisë së veprave penale, duke rritur masën përfituese për të dënuarit meshkuj nga 3 vjet në 4 vjet.

Amendamenti që përflitet për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 5 është një propozim apo ndryshim i bërë nga relatori i PS z. Plarent Ndreca. Asnjë deputet i Grupit Parlamentar të PD nuk ka votuar pro projektligjit në Komisionin e Ligjeve.

Çdo mekanizëm, çdo keqinformim apo keqpërdorim, çdo tentativë e mazhorancës duke dezinformuar edhe median është e papranueshme dhe nxjerr në pah se amnistia e propozuar prej tyre nuk ka qellim të përfshijë shtresat që kanë nevojë por synon të përdoret si mburojë për zyrtarët e korruptuar. Në funksion të transparencës bashkëlidhur i plotë amendamenti i dorëzuar nga ana ime zyrtarisht”, shkruan Nallbati.

Kjo ishte tentativë e PS-së nga relatori Ndreca për shtuar një amendament në Amnistinë Penale që parashikon faljen e zyrtarëve të dënuar për korrupsion nga GJKKO-ja. Siç shihet në propozimin e Nallbatit, ky amendament nuk ndodhet në të, por është shtuar nga Ndreca, për arsye që ende nuk dihen.

bledion nallbati plarent ndreca

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll