Aktualitet

Një vizitë e veçantë në Kryepeshkopatën e Hirshme në Tiranë, sekretari i Ligës së Botës Islame takon kryepeshkopin Anastas (FOTO)

Abdulkerim el-Isa është një ndër personalitetet më të rëndësishme të botës që njihet për kontributin e tij të drejtëpërdrejtë në dialogun ndërfetar mes popujve të botës.

19 Shkurt 2024, 10:45 Nga r.ll
Një vizitë e veçantë në Kryepeshkopatën e
pamje nga vizita

TIRANË- Kryepeshkopi i Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi priti ditën e djeshme në ambientet e Kryepeshkopatës së Hirshme në Tiranë, sekretarin e Përgjithshëm të Ligës së Botës Islame Shkëlqesinë e tij, Muhamed Bin Abdulkerim el-Isa dhe delegacionin që e shoqëronte. 

Abdulkerim el-Isa është një ndër personalitetet më të rëndësishme të botës që njihet për kontributin e tij të drejtëpërdrejtë në dialogun ndërfetar mes popujve të botës. Liga e Botës Islame është një organizatë ndërkombëtare, me një angazhim të fortë në luftën kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm në botën myslimane. Ajo promovon një vizion të hapur dhe të moderuar të islamit, duke theksuar tolerancën, dialogun dhe respektin ndaj diversitetit fetar dhe kulturor. Delegacionin e shoqëronte edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Hirësia e Tij Bujar Spahiu.

Gjatë takimit në një atmosferë vëllazërore në zyrën e Kryepeshkopit Anastas ku të pranishëm ishin edhe Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaili dhe Episkopi i Bylisit Hirësi Asti, shkëmbyen biseda dhe pikëpamje për disa çështje në arenën ndërkombëtare, veçanërisht çështjet që lidhen me vlerat e përbashkëta dhe ndërtimin e urave midis qytetërimeve.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame vlerësoi gjithashtu kontributin e Kryepeshkopit Anastas dhe Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në promovimin dhe kultivimin e harmonisë, dhe tolerancës fetare në vend duke e shndërruar Shqipërinë në një model të shkëlqyer në botë, të bashkëjetesës harmonike midis feve të ndryshme.

Kryepeshkopi Anastas fillimisht vlerësoi bashkëpunimin vëllazëror me kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Hirësinë e Tij, Bujar Spahiu si edhe me drejtuesit e tjerë fetarë në vend dhe më pas theksoi se: "Në kohët e sotme shoqëria ka shumë njuhuri dhe shumë ide por ka një mungesë të dashurisë dhe respektit për të vërtetën. Edhe ne së bashku duhet që të themi se realiteti real në këtë univers është Perëndia dhe jo diçka tjetër. Unë besoj se kjo është një vlerë e përbashkët për ne në kohët e sotme dhe duhet ta theksojmë këtë. Në botën Ortodhokse ekziston një marrëdhënie e vazhdueshme me vëllezërit tanë myslimanë dhe duhet të punojmë që të mos mbetemi thjesht në një miqësi sipërfaqësore por në një marrëdhënie të sinqertë dashurie dhe bashkëpunimi real. Sa më shumë i afrohemi Zotit aq më shumë afrohemi edhe me njëri - tjetrin dhe anasjelltas, sa më shumë afrohemi me njëri - tjetrin aq më shumë afrohemi me Perëndinë".

Në fund të takimit u shkëmbyen edhe dhurata. Sekretari i Përgjithshëm i Ligës së Botës islame Shkëlqesia e Tij, Muhamed Bin Abdulkerim el-Isa dhe delegacioni që e shoqëronte vizituan edhe katedralen "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë.

kryepeshkopi anastas muhamed bin abdulkerim el-isa

Sondazh

Poll