Politike

Pritja e Blinken në Rinas, ministri Hasani: Partneriteti me SHBA-në vetëm forcohet

Në kuadër të vizitë së tij zyrtare ai do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Shqipëri. 

15 Shkurt 2024, 11:46 Nga r.ll
Pritja e Blinken në Rinas, ministri Hasani: Partneriteti me SHBA-në
igli hasani dhe antony blinken

TIRANË- Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken u prit në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Ky i fundit përmes një postimi në "X" ka ndarë foto nga pritja ku shkruan se partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, sa vjen dhe forcohet. 

POSTIMI I PLOTË: 

Mirë se erdhe Antony! Kënaqësi të mirëpres Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar.

Sipas axhendës së sekretarit, ai bashkë me stafin e tij do të qëndrojnë për rreth 8 orë në Tiranë. Në kuadër të vizitë së tij zyrtare ai do të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane në Shqipëri. Gjithashtu sot pritet që sekretari amerikan të firmosë edhe dy marrëveshje. Pas Tiranës, Blinken do të udhëtojë drejt Mynihut. 

Për vizitën e Blinken në kryeqytet, janë marrë edhe masa nga ana e policisë, ku 1500 efektivë do të jenë në gatishmëri, ndërsa disa rrugë janë të bllokuara për drejtuesit e mjeteve.

Sipas DASH, vizita do të përqendrohet pikërisht tek e ardhmja e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë ish-ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, e cila mban tashmë detyrën e zv.ndihmës sekretares së Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, e cilësoi vizitën një celebrim të partneritetit të Shqipërisë me SHBA-të. Kujtojmë se kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri, ndërsa është vizita e gjashtë e një sekretari amerikan në vend. 

antony blinken igli hasani

Sondazh

Poll