Politike

‘E paimagjinueshme’/ BIRN: Kushtetuesja kritikon moszbatimin e vendimit për Xhaçkën

Megjithatë, Zaçaj pranoi se nuk ka ndonjë mekanizëm kontrollues për zbatueshmërinë e vendimeve të kësaj gjykate.

5 Shkurt 2024, 16:54 Nga I.A
‘E paimagjinueshme’/ BIRN: Kushtetuesja kritikon moszbatimin e
Holta Zaçaj

TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj tha të hënën se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të vihen në pikëpyetje në një shtet ligjor. Komenti i Zaçajt i referohej moszbatimit të vendimeve të kësaj gjykate nga Kuvendi në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka dhe shkeljes së afatit të vendosur për ndryshimin e Kodit Zgjedhor për votën e emigrantëve.

“Të vësh në pikëpyetje zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është e paimagjinueshme në një shtet ligjor,” tha Zaçaj në një konferencë për mediat, duke shtuar se vendimet e GJK janë të formës së prerë, janë përfundimtare dhe të zbatueshme.

“Nuk ka ekuivoke në vendimet e GJK-së,” këmbënguli kryetarja e kësaj gjykate, ndërkohë që mazhoranca socialiste mban të bllokuar prej 1 viti zbatimin e vendimit të  Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka.

Megjithatë, Zaçaj pranoi se nuk ka ndonjë mekanizëm kontrollues për zbatueshmërinë e vendimeve të kësaj gjykate.

“Kushtetuta dhe ligji organik nuk i kanë dhënë Gjykatës mekanizma kontrolli të zbatimit të vendimeve, sepse në një shtet ligjor është postulat që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të zbatueshme,” shtoi ajo ajo.

Të pyetur nga BIRN, as kabineti i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe as kryeministri Edi Rama nuk e komentuan deklaratën dhe “paligjshmërinë” e qëndrimit të tyre në raport me këtë çështje.

Në janar 2023, Gjykata Kushtetuese rrëzoi si anktikushtetuese vendimet e Kuvendit për të mos dëguar për interpretim papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës, pasi bashkëshorti i saj u shpall “investitor strategjik” dhe përfitoi veç të tjerash përmes një vendimi qeverie edhe shfrytëzimin e brigjeve të detit.

Sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi është i detyruar që të dërgojë për interpretim mandatin e një deputeti.

Pavarësisht vendimit, Kuvendi e zvarriti çështjen në Këshillin e Legjislacionit deri në korrik, ku deputetët socialistë kërkuan rikthimin e saj në pikën zero në shqyrtim në Këshillin e Mandateve në kundërshtim me praktikën e mëparshme parlamentare që kërkonte një vendim të thjeshtë në seancë plenare.

Prej asaj kohe, çështja “Xhaçka” mbahet në zyrën e Nikollës, e cila ka kompetencën ligjore që të vendosë për procedurën e mëtejshëm parlamentare që do të ndjekë zbatimi i vendimit. Nikolla ka nxjerrë pretendime të ndryshme për mosveprimin duke paralajmëruar mbajtjen në sirtar pa afat, ndërsa kryeministri Edi Rama e quajti “të paqartë” vendimin e GJK-së.

Nga ana tjetër një vendim i kësaj gjykate për garantimin e të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë kufinjve nuk është zbatuar akoma nga Kuvendi dhe pse kishte afat përfundimtar datën 14 janar 2024.

Marrë nga Reporter.al

holta zaçaj olta xhaçka

Sondazh

Poll