Politike

Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Noka: Të hënën dalim në protestë te Parlamenti, PD nuk do të nështrohet!

Ky takim u zhvillua pa praninë fizike të kreut të PD-së Sli Berisha pasi ky i fundit është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” prej datës 30 Dhjetor.

3 Shkurt 2024, 17:45 Nga N.F
Mbledhja e Këshillit Kombëtar, Noka: Të hënën dalim
Mbledhja e Këshillit Kombëtar

TIRANË- Pasditen e sotme është mbajtur mbledhja e Këshillit Kombëtar e Partisë Demokratike. Ky takim u zhvillua pa praninë fizike të kreut të PD-së Sli Berisha pasi ky i fundit është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” prej datës 30 Dhjetor. Gjatë mbledhjes së mbajtur ka folur sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka.

Noka bëri thirrje që të dalin në protestë te Parlamenti. Me tej shtoi se PD nuk do të nështrohet sado që të përpiqet regjimi!

"Të hënën ne dalim në protestë te Parlamenti që Rama ka bllokuar, sepse ai është kuvendi i përfaqësuesve të popullit opozitar, të popullit shqiptar, jo të Lindës së radhës. Sonte, të hënën dhe cdo ditë, ne dalim te Rruga e Shpresës për t’i thënë JO burgosjeve politike, pavarësisht nëse ato janë për Sali Berishën, Fredi Belerin apo Arben Ahmetajn. Ne dalim kundër porosive dhe pritave që zbaton SPAK-u për hatër të Edi Ramës," tha Noka.

Fjala e plotë:

Ne tashmë e dimë se kush është Edi Rama. Ne e dinim shumë mirë edhe para se ish-zëvendësi i tij ta thoshte publikisht. Ne kemi vite që ua themi shqiptarëve, por le ta marrin vesh socialistët. ‘Kur ta kuptojnë socialistët se kush është Edi Rama, do të jetë vonë për Partinë Socialiste”, tha socialisti Arben Ahmetaj. A na intereson ne kjo? Sigurisht! Sepse ne jemi demokratë dhe kundërshtarë të socialistëve, por jo armiq të tyre. Nuk ka gjë se ata nuk e kuptojnë, apo bëjnë sikur se kuptojnë, se Edi Rama po përpiqet ta asgjësojë partinë tonë vetëm për pushtetin e tij dhe të klanit të ngushtë, jo për interes të socialistëve apo shqiptarëve.

Asnjë interes publik nuk e toleron asgjësimin e opozitës së një vendi. Kështuqë, ne demokratët u themi socialistëve se beteja për të burgosur Sali Berishën është përpjekja për të instaluar një njeri në pushtet. Kur të mbarojë punë me ne, ai do t’u kthehet ju, të vetëve, sic bëri Enver Hoxha. Ne nuk do ta lejojmë dhe ju ftojmë edhe ju të na bashkoheni!

Kjo nuk është betejë për Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, por për Shqipërinë si vend normal, demokratik, pluralist, euro-atlantik. Kjo krizë kombëtare, ky hon i madh rreziku, që Edi Rama ka hapur si asnjëherë më parë ndërmjet palëve, duke kërkuar asgjësimin e opozitës, të kundërshtarit politik si armik, na fton që të ngrihemi. Të gjithë bashkë.

Të hënën ne dalim në protestë te Parlamenti që Rama ka bllokuar, sepse ai është kuvendi i përfaqësuesve të popullit opozitar, të popullit shqiptar, jo të Lindës së radhës. Sonte, të hënën dhe cdo ditë, ne dalim te Rruga e Shpresës për t’i thënë JO burgosjeve politike, pavarësisht nëse ato janë për Sali Berishën, Fredi Belerin apo Arben Ahmetajn. Ne dalim kundër porosive dhe pritave që zbaton SPAK-u për hatër të Edi Ramës.

Të hënën ne mblidhemi për t’i thënë shqiptarëve dhe botës se, pse Amerika e dënon McGonigalin për tradhti dhe korrupsion, por SPAK, kantautorin, bashkëautorin dhe bashkëfajtorin e agjentit të FBI, e lejon të dalë e të shesë dokrra, si luftëtar i anti-korrupsionit?! Të hënën ne dalim për t’u thënë, për të njëmijtën herë, shqiptarëve dhe botës se, Edi Rama dhe Erion Veliaj janë pronarë faktikë të inceneratorëve dhe, se duhen hetuar si të tillë.

Ne dalim për të mos lejuar që pushteti i Ramës të nxjerrë jashtë ligjit forcën e parë të pluralizmit, Partinë Demokratike. Për të mos lejuar që Rama i etërve të burgosë dhe dënojë, me këlyshët e rilindur të Sigurimit, liderin historic, jo vetëm të forcës sonë, por të pluralizmit shqiptar.

flamur noka protese pd

Sondazh

Poll