Bota

Osmani: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për Kosovën

Sipas njoftimit të presidencës së Kosovës, ambasadorja Ziv e njoftoi Osmanin për dakortësinë e Izraelit në miratimin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

29 Janar 2024, 17:32 Nga M.B
Osmani: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për
Tamar Ziv dhe Vjosa Osmani

KOSOVA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas një takimi që pati sot me ambasadoren e Izraelit, Tamar Ziv, ka lajmëruar se është arrutur dakordimi për heqjen e vizave me këtë shtet për qytetarët e Kosovës. Sipas njoftimit të presidencës së Kosovës, ambasadorja Ziv e njoftoi Osmanin për dakortësinë e Izraelit në miratimin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Mësohet se ninistritë përkatëse tashmë kanë nisur procedurat për formalizimin e marrëveshjes. Osmani shprehu mirënjohjen e saj ndaj ambasadores Ziv për këtë hap, i cili jo vetëm që lehtëson lëvizjen e qytetarëve, por edhe shton besimin dhe bashkëpunimin mes dy shteteve.

Ndërkohë, në përkujtim të Ditës së Holokaustit, presidentja theksoi përkujtimin e viktimave dhe angazhimin e Kosovës për të mësuar nga historia dhe luftimin e urrejtjes dhe paragjykimeve. Ambasadorja Ziv dhe presidentja Osmani po ashtu ndanë informacione rreth zhvillimeve të sigurisë në Izrael dhe Kosovë, duke treguar vazhdimësinë dhe rëndësinë e dialogut ndërmjet dy vendeve.

NJOFTIMI I PRESIDENCËS SË KOSOVËS:

Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me ambasadoren Ziv: Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv. Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.
Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi.

Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike. Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve. Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi. Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa Presidentja Osmani e informoi ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.

kosova izraeli

Sondazh

Poll