Politike

Protesta në Kuvend, Salianji: 47 opozitarë kërkojnë bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore, jo grupimi që nuk është as parti

25 Janar 2024, 10:54 Nga r.ll
Protesta në Kuvend, Salianji: 47 opozitarë kërkojnë
ervin salianji

TIRANË- Deputeti demokrat Ervin Salianji, foli jashtë Kuvendit për mediat ku tregoi  se cila është arsyeja kryesore e asaj proteste në seancë.

Salianji tha se deputetët e opozitës, 47, kërkojnë bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore pasi ata duhet të përfaqësohen, ndërkohë që nuk mund të pranojnë që një grupim me shtatë deputetë, që nuk është as parti siç u shpreh, të ketë katër përfaqësues në atë komision, tha ai, duke iu referuar grupimit të Bashës.

“Rama e ka vënë përfund edhe parlamentin, përveçse të gjitha institucionet e tjera. E kam thënë dhe e rithem se të gjitha institucionet i nënshtrohen vullnetit personal të Edi Ramës, duke mos respektuar as Kushtetutë, as ligj, me një lehtësi jo vetëm ekstreme, por në kuptimin e papërgjegjshmërisë së funksionimit të parlamentit, po dhe të secilit prej deputetëve që nuk kanë rolin e deles, por të përfaqësuesve të popullit, votohen ligjet pa asnjë diskutim, kalohen në mënyrë të përshpejtuar dhe nuk merren me thelbin e problemit që është sot Shqipëria.

Ne po kërkojmë dhe po i përsëris, tri kërkesa kushtetuese që nuk na i garanton Edi Rama, nuk na i garanton Lindita Nikolla dhe asnjë prej përfaqësuesve të PS-së.

Po kërkojmë bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ashtu siç e keni parë, 47 deputetë që përbëjnë shumicën e deputetëve të grupeve parlamentare të opozitës, kërkojnë që të kenë përfaqësimin e tyre në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe proporcionaliteti ndërkohë është i mirëpritur.

Nuk mund të ketë një grupim që nuk është as parti me shtatë deputetë, të ketë katër përfaqësues dhe grupet opozitare, të gjithë partitë opozitare bashkë me partinë më të madhe që është PD dhe Grupi Parlamentar i PD, të mos kenë përfaqësimin e bashkëkryetarit.", tha Salianji. 

ervin salianji

Sondazh

Poll