Sport

Teuta befason Tiranën në “Niko Dovana”, bardheblutë abuzojnë me epërsinë dhe në fund firmosin barazimin 2-2...

Pas kësaj ndeshje, Tirana mbetet në vendin e tretë me 30 pikë, ndërsa Teuta mbyll tabelën e klasifikimit me 17 pikë.

19 Janar 2024, 20:37 Nga DOSJA

Teuta befason Tiranën në “Niko Dovana”, bardheblutë

DURRES - Fund i trishtë për bardheblutë në “Niko Dovana”. Teuta dhe Tirana e mbyllën në një barazim 2-2 ndeshjen e javës së 20 në Abissnet Superiore. Ndajnë nga një pikë që i “rri ngushtë” bardhebluve, të cilët ishin në avantazhin e dy golave.

Kryeqytetasit kaluan në avantazh në minutën e 25-të me anë të Regi Lushkjes që goditi saktë nga distanca. Në fraksionin e dytë, që rezultoi të ishte edhe më emocionuesi i sfidës, Tirana dyfishoi në minutën e 50-të me anë të Kristal Abazajt që shfrytëzoi një asist perfekt të Rimal Haxhiut.

Megjithatë, “Djemtë e Detit” të udhëhequr nga Edi Martini, nuk u dorëzuan dhe shkurtuan diferancat në minutën e 80-të me anë të Llocit. Ky i fundit u shndërrua edhe në heroin e durrsakëve, pasi tre minuta më pas shënoi edhe golin e barazimit, duke shtangur kryeqytetasit bardheblu, që abuzuan me epërsinë e krijuar.

Në fund, Tirana e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Albi Dokës, megjithatë shifrat nuk ndryshuan dhe 90-minutshi u mbyll në barazimin spektakolar 2-2.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll