Sport

Egnatia përsëri “poker” golash ndaj Kukësit, +8 më tepër se Partizani...

19 Janar 2024, 20:24 Nga DOSJA
Egnatia përsëri “poker” golash ndaj Kukësit, +8

KUKES - Egnatia rregjistron fitoren e dytë në këtë fillim viti. Pas suksesit 1-0 me Skënderbeun, triumfon 4-1 edhe në transfertën e Kukësit, ku i duhet pak më shumë se gjysmë ore lojë për të çmontuar verilindorët, që ndiejnë gjithnjë e më shumë ftohtësinë e fundit të klasifikimit. Edhe takimi i parë, i fazës së parë ka përfunduar me rezultatin e thellë 4-0 rrogozhinasit, që kësaj here kishin personazhe të rinj të spikatur...

Gjithçka ishte e thjeshtë për rrogozhinasit në ndeshjen hapëse të javës së 20-të të Kategorisë Superiore. Renato Malotën që në minutën e 12-të shënon golin e parë pranë vijës fatale, teksa shfrytëzon rikthimin e një topi brenda zonës.

Egnatia mbetet para, në minutën e 29-të kryesori Bajramaj akordon një penallti në favor të Egnatias, të cilën Fernando nxiton për ta çuar në rrjetë me tentativën e dytë dhe 2-0.

Në të 34-tën vjen dhe momenti i Mario Gjatës, shënon golin e parë me fanelën e re sulmuesi i transferuar në këtë sesion të merkatos. Gjithçka e thjeshtë për të pas krosimit perfekt të Ndrecës nga e majta.

3-0 dhe Kukësi është në tapet, nga ku e ka të vështirë të ngrihet, pretendon për një 11-metërsh në sekondat e fundit të pjesës së parë pas një kontakti të Lamçes me Malotën, por për gjyqtarin nuk ka asgjë serioze.

Në pjesën e dytë të zotët e shtëpisë përpiqen të dhurojnë reagimin e krenarisë dhe është Atdhe Rashiti që gjen golin e flamurit në minutën e 80-të kur shfaq cilësitë e tij teksa merr një top në qendër, avancon duke dribluar kundërshtarët në zonë për të ndëshkuar Alen Sherrin.

Goli i jep zemër Kukësit, që hidhet i gjithi para në finale, duke lënë hektarë bosh për Egnatian, që i shfrytëzon në të 89-tën, kur Joel dhe Jurguens Montenegro kanë gjithë gjysmëfushën të lirë, teksa avancojnë me pasimin e brazilianit që shfrytëzohet me një harkim nga sulmuesi nga Kosta Rika që shënon golin e parë me fanelën vetëm pak ditë pas transferimit në Rrogozhinë.

4-1 me dy blerje të janarit që shënojnë, për fitoren e dytë në po kaq ndeshje në këtë vit kalendarik, më mirë nuk ka ku të shkojë për Egnatian, që tenton arratisjen në krye duke rritur presionin ndaj ndjekësve, ndërsa për Kukësin është ndeshja e 10-të pa fitore, seri prej 4 humbjesh dhe 6 barazimesh, me verilindorët që nuk fitojnë që nga tetori i vitit të kaluar, prej thuajse 3 muajsh, shifra që konfirmojnë krizën e thellë në kampin verilindor.

B.T (Dosja.al) 

Sondazh

Poll