Politike

Rama komenton marrëveshjen me Italinë: Shqipëria nuk është zgjidhja për emigracionin e paligjshëm, por mund të bëjë pjesën e saj 

Rama tha se BE-ja duhet të veprojë si një trupë e vetme në përgjigje të kësaj sfide

18 Janar 2024, 18:59 Nga I.A
Rama komenton marrëveshjen me Italinë: Shqipëria nuk
Edi Rama

BAVARI- Kryeministri Edi Rama ka komentuar marrëveshjen me Italinë për emigracionin gjatë një vizitë në Bavari. Në një konferencë me homologun bavarez Markus Söder, Rama theksoi se Shqipëria nuk është zgjidhje për emigracionin e paligjshëm, sepse është vend i vogël dhe nuk ka mjetet, por shtoi se ka mundësinë të japë kontributin e saj. Rama tha se BE-ja duhet të veprojë si një trupë e vetme, në përgjigje të kësaj sfide.

"Sigurisht kemi folur edhe për mënyrën sesi Shqipëria e sheh dhe si Shqipëria mendon të kontribuojë, kundër migracionit të paligjshëm përmes marrëveshjes që kemi arritur me Italinë. Më duhet të them se Shqipëria nuk është zgjidhja pasi jemi shumë të vegjël dhe nuk kemi mjetet për të qenë zgjidhja, pikë së pari, dhe së dyti, sepse zgjidhja nuk është madje as në duart e një vendi të madh si Gjermania, por Shqipëria mund të bëjë pjesën e saj për të kontribuar në këtë zgjidhje, ashtu siç çdo vend europian duhet të bëjë pjesën e vet për të kontribuar në këtë zgjidhje pasi kjo sfidë kërkon një përgjigje mbarë europiane. Çdo përpjekje e veçuar është e  dënuar të sjellë pasoja që mund të bëhen të pariparueshme për të ardhmen ndaj e gjithë familja europiane duhet të qëndrojë së bashku e të bjerë dakord për një përgjigje të vetme e jo për përgjigje të shumta e të larmishme që ndonjëherë nuk lidhen me brezat e ardhshëm, por me politikën e ditës.

Po të mund të spekuloja këtu do të thoja se dallimi mes djemve dhe burrave në detyrë është se djemtë duan të tregojnë diçka, burrat duan të bëjnë diçka dhe kjo është po kështu ajo çfarë vendet duhet të bëjnë kur varen nga qeveritë që kanë. Ne jemi këtu, duam të jemi pjesë e zgjidhjes, duam të jepi pjesë e përpjekjes. Ne nuk jemi BE, por jemi E pa B kështu që,  askush nuk mund të vendosë për ne, nëse jemi a jo europiane sepse kjo tashmë është vendosur tashmë nga Zoti i plotfuqishëm e nga gjeografia që na ka vendosur në mes të Europës dhe Bashkimi Europian është realiteti i vetëm në historinë e hartave me kufij të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Nuk ka ekzistuar asnjë realitet tjetër i ngjashëm në histori. Pra, hyn në BE dhe për të ardhur në Shqipëri duhet të dalësh nga BE-ja. Është thjesht një fluturim 1orë e gjysmë prej këtej dhe ne jemi në mes”, tha Rama.

edi rama markus söder

Sondazh

Poll