Politike

Rama: Koha kur Presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë ka perënduar

Po ashtu ai ka theksuar se qeveria nuk ka kohë për askënd që po kërkon të rikthejë kohën e vdekur të vendit.

18 Janar 2024, 17:40 Nga I.A
Rama: Koha kur Presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Presidenti Bajram Begaj dekretoi ndryshimet për Komisionet Hetimore. Me anë të një postimi në X, Rama theksoi se koha kur Presidenti bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë ka perënduar me kohë. Po ashtu ai ka theksuar se qeveria nuk ka kohë për askënd që po kërkon të rikthejë kohën e vdekur të vendit.

Postimi i Plotë:

Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë! Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi të enjten ligjin e ri për komisionet hetimore, pavarësisht kritikave dhe apelit të opozitës se ky ligj bllokonte të drejtën e saj kushtetuese për kontroll parlamentar. Në argumentimet e tij, Begaj shpreh rezerva për disa dispozita të ligjit dhe quan “regres”një prej pikave, por nuk sheh shkelje kushtetuese në ndryshimet e miratuara në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.

edi rama bajram begaj

Sondazh

Poll