Politike

"Kemi një bashkim të sigurt të demokratëve"/ Berisha: Jemi gati në një proces kurorëzimi

29 Dhjetor 2023, 21:05 Nga h.k
"Kemi një bashkim të sigurt të demokratëve"/
Sali Berisha

TIRANË- Sali Berisha, Kryetari i Partisë Demokratike nuk dha detaje sesi do të zhvillohet aksioni politik. Berisha u tregua më konkret, kur u pyet për bashkimin në një formacion politik me grupin parlamentar të drejtuar nga Gazment Bardhi. Një proces në dukje i mbetur pezull, por që, mesa duket, ka lëvizje larg vëmendjes së medias. 

Pjesë nga intervista me kryetarin e PD-së, Sali Berisha 

Elona Meço: Nga ana tjetër, është lënë pezull dhe procesi i nisur bashkimit me pjesën tjetër të grupit parlamentar. Pse po vonoheni kaq shumë? Keni diferenca?

Sali Berisha: Është në proces të vazhdueshëm dhe do të kurorëzohet me sukses.

Elona Meço: Ka negociata që ne nuk i dimë? 

Sali Berisha: Janë të gjitha zhvillimet në këtë drejtim të sigurta.

Elona Meço: Pra jeni i kënaqur me bisedimet me palën tjetër? Nuk ka ngecje?

Sali Berisha: Jam fare i kënaqur me ecurinë. Jam i vetëdijshëm se problemet ekzistuan, se problemet po shkojnë duke u shëruar. Koha është gjithnjë e rëndësishme. Shpreh këtu mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë deputetët që asgjësuan parlamentin monist dhe me qëndrimet e tyre u bënë protagonistë të pamposhtur të zërit të 600 mijë shqiptarëve. Nuk ka bashkim më të shkëlqyer sesa bashkimi në betejë. 

Tek deputetët dhe drejtuesit e një force politike demokratike, vijat e kuqe nuk ekzistojnë. Secili është i lirë. Nuk jemi ne partia e krimit. Nuk jemi ne partia që kemi hequr votën. 

Elona Meço: T’ju gjej unë një vijë të kuqe. Vendi i kryetarit nuk është vakant apo jo?

Sali Berisha: Kryetari është në detyrë, sa për dijeni. Nëse njëri thotë këtë apo atë, nuk ka asnjë vijë të kuqe për ta thënë, por problemi është që statuti përcakton se kryetari është në detyrë të plotë.

Elona Meço: Kur thoni që procesi po ecën mirë dhe do të mbyllet shpejt, kur ndodh kjo?

Sali Berisha: Nuk është një proces që mund të thuhet se mbyllet pas 3 ditësh apo pas 5 ditësh, por është një proces që po mbyllet. Këtë mund ta them me siguri. Dhe po mbyllet në mënyrën më të natyrshme, si një mirëkuptim midis bashkëluftëtarëve që e kuptojnë se sot PD është shpresa e fundit e shqiptarëve. 

Elona Meço: Dhe nëse ju jeni në arrest shtëpie, a e pengon kjo procesin e bashkimit? 

Sali Berisha: Jo përkundrazi! E frymëzon. 

sali berisha

Sondazh

Poll