Bota

Britania, BE-ja, Australia dhe Kanadaja thirrje Izraelit: Të merren masa për dhunën ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

Deklarata u nënshkrua nga Mbretëria e Bashkuar, Australia, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Bashkimi Evropian.

15 Dhjetor 2023, 14:20 Nga r.ll
Britania, BE-ja, Australia dhe Kanadaja thirrje Izraelit: Të merren masa
foto ilustruese

BRITANI- Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i është bashkuar Bashkimit Evropian, Australisë dhe Kanadasë, duke i bërë thirrje Izraelit të ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe konkretë për të trajtuar dhunën e lartë të kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Vendet kanë shprehur shqetësim të madh për numrin rekord të sulmeve nga kolonët ekstremistë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor. 

“Që nga fillimi i tetorit, kolonët kanë kryer më shumë se 343 sulme të dhunshme, duke vrarë tetë civilë palestinezë, duke plagosur më shumë se 83 dhe duke detyruar 1,026 palestinezë të largohen nga shtëpitë e tyre. Ne dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga kolonët ekstremistë, të cilët po terrorizojnë komunitetet palestineze.Ne përsërisim qëndrimin tonë se vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe i kujtojmë Izraelit detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar. Izraeli, si fuqi pushtuese, duhet të mbrojë popullatën civile palestineze në Bregun Perëndimor," thanë vendet, sipas Sky News.

"Ata që janë përgjegjës për dhunën duhet të sillen para drejtësisë. Dështimi i Izraelit për të mbrojtur palestinezët dhe për të ndjekur penalisht kolonët ekstremistë ka çuar në një mjedis pothuajse të mosndëshkimit të plotë në të cilin dhuna e kolonëve ka arritur nivele të paprecedentë. Kjo minon sigurinë në Bregun Perëndimor dhe rajon dhe kërcënon perspektivat për një paqe të qëndrueshme. Ndërsa mirëpritëm deklaratën e qeverisë së Izraelit për këtë çështje më 9 nëntor, ku përcolli se do të ndërmerren veprime kundër autorëve të dhunshëm, tani duhet të ndërmerren hapa proaktivë për të siguruar mbrojtjen efektive dhe të menjëhershme të komuniteteve palestineze. Fjalët janë të rëndësishme, por tani duhet të përkthehen në veprim.", tuhej më tej në deklaratë.

Deklarata u nënshkrua nga Mbretëria e Bashkuar, Australia, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Bashkimi Evropian.

lufta izrael-palestine

Sondazh

Poll