Bota

Osmani paralajmëron dërgimin e draftit të Asociacionit në Kushtetuese: Pushteti dhe opozita të jenë unik për të

Presidentja ka thënë se Kushtetuesja duhet ta vendosë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

15 Dhjetor 2023, 12:03 Nga r.ll
Osmani paralajmëron dërgimin e draftit të Asociacionit në
Vjosa Osmani

KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po mban fjalimin e saj vjetor para deputetëve në Kuvendin e Kosovës. 

Osmani gjatë fjalës së saj ka paralajmëruar dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të hartuar nga ndërkombëtarët në Gjykatën Kushtetuese. Presidentja ka thënë se Kushtetuesja duhet ta vendosë nëse ky draft-statut është në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Siç e dini, së fundi Kosovës i është dorëzuar një propozim, draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga partnerët tanë. Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me Kushtetutën, dua të ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Është me rëndësi që të gjtihë ne, pa dallim partiak, të ulemi dhe bashkarisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni”, ka thënë Osmani, sipas Express.

Ajo ka thënë se pushteti e opozita duhet të ulen bashkë për të përgatitur komentet bazuar në shqetësimet që kanë.

“Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Dhe të mos lejojmë një pushtet të ndërmjetmë të qevrisjes apo anomali të tjera që rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë”, ka deklaruar presidentja.  

vjosa osmani

Sondazh

Poll