Bota

SHBA paralajmëron sërish Izraelin për vdekjet e civilëve, Sullivan: Kontrolli i Gazës duhet të kalojë te palestinezët

Sullivan konfirmoi se do të takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor më vonë ditën e sotme.

15 Dhjetor 2023, 12:43 Nga r.ll

 

SHBA paralajmëron sërish Izraelin për vdekjet e civilëve,
jake sullivan

 

SHBA- Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, po mban një konferencë për shtyp në Izrael. 

Gjatë fjalës së tij, ai përsërit mbështetjen e Uashingtonit për të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër Hamasit, të cilin ai e përshkruan si një grup terrorist. Sullivan konfirmoi se do të takohet me presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor më vonë ditën e sotme.

"Ne do të diskutojmë përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar stabilitetin në Bregun Perëndimor, duke përfshirë përpjekjet për t'u përballur me terrorizmin, për të mbështetur forcat e sigurisë të Autoritetit Palestinez përmes koordinatorit të sigurisë së SHBA për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Nëpërmjet përpjekjeve të vazhdueshme për të rinovuar dhe rigjallëruar Autoritetin Palestinez dhe nëpërmjet iniciativës për të mbajtur përgjegjës kolonët ekstremistë për dhunën kundër civilëve palestinezë", tha ai, raporton Sky News. 

Duke përsëritur mbështetjen e SHBA-së për një zgjidhje me dy shtete, ai tha: "Populli izraelit ka nevojë dhe meriton të jetojë në paqe dhe siguri me fqinjët e tij në një rajon që është i integruar, dinamik dhe i qëndrueshëm".

Megjithatë, ai u shpreh se SHBA dëshiron të shohë rezultate nga Izraeli në lidhje me qëllimin e tij për të shmangur viktimat civile në Gaza.

"Ajo që ne kemi thënë vazhdimisht është se Izraeli ka synimin të sigurohet që po i bën ato dallime midis civilëve dhe objektivave ushtarakë në mënyrë të qartë dhe të qëndrueshme dhe ne duam të shohim rezultatet të përputhen me këtë.", tha ai.

Sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit gjatë 10 javëve të fundit kanë vrarë më shumë se 18,700 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaze e cila drejtohet nga Hamasi. Mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe dyshohet se kanë vdekur nën rrënoja.

Sullivan, i cili zhvilloi bisedime me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dje, gjithashtu pretendoi se Izraeli nuk kishte ndonjë plan afatgjatë për të pushtuar Gazën pasi të kishte përfunduar operacionet e tij ushtarake. 

“Në fund të fundit, kontrolli i Gazës, administrimi i Gazës, siguria e Gazës, duhet të kalojnë tek palestinezët," shtoi ai, duke thënë se SHBA nuk mendonte se kishte kuptim që Izraeli të ripushtojë Gazën në planin afatgjatë.

jake sullivan lufta izrael-palestine

Sondazh

Poll