Politike

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese merr në shqyrtim çështjen, pezullohet ratifikimi në Kuvend

Mësohet se duke ratifikimi që do i bëhej ditën e nesërme marrëveshjes në Kuvend, është pezulluar për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

13 Dhjetor 2023, 17:14 Nga I.A
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim çështjen për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë. Mësohet se duke ratifikimi që do i bëhej ditën e nesërme marrëveshjes në Kuvend, është pezulluar për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese do shqyrtojë kërkesën për marrëveshjen me Italinë në datë 18 janar në orën 10:00. Gjykata Kushtetuese ka bërë me dije se është marrë në shqyrtim padia e bërë nga deputetët e opozitës, kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për refugjatët.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”. Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, te Kushtetutës. Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit ishte planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtareve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes per shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, te ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00.

Porti i Shëngjinit do të shërbejë si qendër pritjeje për refugjatët që mbërrijnë në Itali nga vendet e treta. Marrëveshja u nënshkrua në Romë mes dy kryeministrave, Giorgia Melonit dhe kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama. Sipas protokollit të bashkëpunimit, kjo qendër pritet të jetë gati Pranverën e vitit që vjen dhe do të trajtojë çdo muaj kërkesat për azil të rreth 3 mijë refugjatëve që mbërrijnë në Lampeduza nga Afrika dhe Lindja e Mesme dhe kanë mbipopulluar ishullin e vogël italian. I gjithë procesi do të mbështetet financiarisht nga Italia, e cila do të bëjë njëherazi edhe seleksionimin e azilantëve./Dosja.al

gjykata kushtetuese shqiperia marreveshje me italine per emi

Sondazh

Poll